Maqedoni

Lëvizja “Besa”: Gjuha shqipe nuk është zyrtare

22.06.2016 16:57

Gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoni. Konstatimi vjen nga lëvizja “Besa” pas një hulumtimi të bërë në ueb faqet zyrtare të institucioneve shtetërore...

Nga “Besa” thonë se nga gjithsej 104 institucione shtetërore, vetëm 28 e përdorin pjesërisht gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në ueb faqet e tyre, ndërsa për institucionet e tjera shqipja është e panjohur.
 
“Pak më shumë se ¼ e organeve shtetërore nuk e përdorin gjuhën shqipe në ueb faqet e tyre, ndërkaq për shkak se nuk ka ende zgjidhje ligjore, gjuha shqipe nuk mund të përdoret nga drejtuesi i mbledhjeve të Parlamentit. Gjuha shqipe nuk mund të përdoret në mbledhjet dhe punimet e Qeverisë, gjuha shqipe nuk mund të përdoret nga gjykatësit, prokurorët, noterët dhe avokatët, gjuha shqipe nuk mund të përdoret si gjuhë pune në ushtri dhe polici. Shqiptarët mund të shkruajnë në gjuhën amtare në institucionet qendrore të shtetit vetëm nëse ata banojnë në komunat ku bëjnë pjesë më shumë se 20% të popullsisë”,- deklaroi Blerim Sejdiu nga Lëvizja “Besa”.
 
Nga Lëvizja “Besa” vlerësojnë se ky problem mund të zgjidhet vetëm me ridefinimin e Kushtetutës në pjesën për përdorimin e gjuhës zyrtare në shtet.
 
Sipas tyre, gjuha shqipe duhet përmendur në mënyrë koncize si gjuhë e dytë zyrtare, gjegjësisht në nenin 7 duhet të qëndrojë qartë edhe gjuha shqipe dhe alfabeti i saj latin, si gjuhë që e flasin së paku 20% e popullatës së Maqedonisë dhe të jetë gjuhë zyrtare në tërë territorin e vendit.
 
REXHEP QAMILI