Botë
Francë, policia gaz lotsjellës kundër tifozëve polakë
22.06.2016 18:51
Policia franceze u detyrua që të përdorë gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e tifozëve polakë, në mënyrë që të evitonte një përplasje mes tyre dhe mbështetësve të Ukrainës...

Mediat transmetuan edhe këto pamje në të cilat duken qartë efektet që shkaktuan tifozët.
Sikurse përplasjet mes tifozëve britanikë dhe atyre rusë, edhe ky sherr i radhës nga tifozeritë u zhvillua në zonën e portit të vjetër në qytetin e Marsejës. Autoritete bënë me dije se shoqëruan edhe katër persona në ambientet policore.
Tifozët kishin filluar që të konsumonin sasi të mëdha alkooli, duke nxitur në këtë mënyrë kryerjen e veprimeve të pakontrolluara. Ata fillimisht thërritën në kor fraza të ndryshme, por me kalimin e kohës situata nisi të përshkallëzohet. Në momentin që e panë të arsyeshme, forcat e sigurisë ndërhynë për të evituar incidente të mëtejshme.
Autoritetet marsejeze deklaruan se në vendin e ngjarjes ishin dërguar gjithsej 1.200 forca sigurie. Dhuna mes tifozëve është bërë një problem vërtet madhor gjatë zhvillimit të këtij edicioni të kampionatit evropian të futbollit. Episodet më të dhunshme janë regjistruar pas përfundimit të takimit mes Rusisë dhe Anglisë, ndeshje që rezervoi shifrat e barabarta 1-1./Ora News
