Maqedoni
Ahmeti: Përgjegjësi për të arsyetuar besimin
27.03.2014 19:03
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërkuar sot nga të gjithë funksionarët e kësaj partie përgjegjësi më të madhe...

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërkuar sot nga të gjithë funksionarët e kësaj partie përgjegjësi më të madhe, që të justifikojnë besimin nga populli. Si parti vazhdimisht jemi para syve të popullit dhe jam i sigurt se besimin që na japin dhe do të na japin qytetarët, është i merituar.
Për këtë duhet ta ngremë përgjegjësinë tonë nga niveli personal, në nivelin e institucioneve që i udhëheqin kuadrot tona edhe në nivelin lokal edhe në atë qendror, deri në krye të partisë, ka potencuar Ahmeti.
“Jam shumë i sigurt se besimi që na është dhënë edhe e kemi merituar, besimi që do na jepet është mëse i vërtetuar, por ama ne duhet të rrisim përgjegjësinë. Duke rritur përgjegjësinë, sigurisht jemi shumë më afër jetësimit, materializimit dhe atyre qëllimeve e synimeve që ne i kemi. Më shumë përgjegjësi, më shumë punë, sepse kështu nderojmë veten tonë, familjen tonë, nderojmë familjen e madhe të BDI-së, nderojmë të gjithë ato gjenerata që kanë pasur këtë qëllim dhe këtë synim”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Musa Xhaferi edhe një herë ka potencuar se shumica nuk mund të bëjë qeverinë, pa partinë shqiptare që merr legjitimitetin e elektoratit shqiptar.
“BDI gjithmonë do të jetë e angazhuar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, integrimin në BE dhe në NATO dhe përmirësimin e standardit të qytetarëve”, u shpreh zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
“Maqedonia nuk ka alternativë tjetër, përveç integrimit në BE dhe NATO”, tha Ermira Mehmeti nga BDI.
“BDI gjithmonë është përqëndruar në kulturë dhe sidomos në arsim, të vetëdijshëm se arsimi cilësor është ardhmëria e shqiptarëve të Maqedonisë. Investimet në infrastrukturë, sidomos në ato vendbanime ku ka vetëm edhe një shqiptar, ishin dhe mbeten prioritet i BDI-së”, thonë ata.
Sipas të dhënave, nga viti 2013, përqindja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore arrin në 18,3 %, ndërsa në vendet drejtuese janë përfaqësues me 8,9 %.
Por nga BDI thonë se nuk do të ndalen këtu dhe se do të vazhdojnë me aktivitetet në këtë drejtim, sidomos në gjyqësi, institucionet financiare dhe të kulturës, si dhe në shërbimet inspektuese, ndërsa do të angazhohen që përfaqësimi i drejtë të jetë i pranishëm edhe në firmat private. (Sanije Kasami, TVM2)
