Botë

SHBA-ja transferoi një të burgosur nga Guantanamo në Mal të Zi

23.06.2016 13:14

Jemenasi, i cili kaloi 14 vite në burgun ushtarak në bazën amerikane "Guantanamo", është transferuar në Mal të Zi, kumtoi Pentagoni...

Pas transferit të Abdel Malik Ahmed Vahaba al-Rahabi në Mal të Zi, në burgun në bazën detare amerikane në Kubë mbetën edhe 79 të burgosur, thekson Pentagoni në kumtesë.
 
Sipas dokumenteve të pentagonit, Al-Rahabi (37) është transferuar në Guantanamo në janar të vitit 2002, pasi që është akuzuar se ka qenë truproje e Osama bin Ladenit, liderit të vrarë të Al Kaedës.
 
Komisioni amerikan për shqyrtim të dënimeve në dhjetor të vitit 2014 konstatoi se Al-Rahabi nuk paraqet rrezik të rëndësishëm për SHBA-në dhe rekomandoi transferin e tij, thuhet në kumtesën e Pentagonit.
 
Presidenti amerikan Barak Obama, i cili insiston në mbylljen e burgut në Guantanamo para se të largohet nga detyra në janar të vitit të ardhshëm, në shkurt e prezantoi planin para Kongresit të SHBA-së për mbylljen e tij, por për idenë e këtillë po përballet me kundërshtime të ashpra nga kongresistë të shumtë republikanë, si dhe nga disa prej radhëve të Partisë së tij demokratike.
 
Të burgosurit nga Guantanamo janë arrestuar jashtë vendit, kur SHBA-ja ishte e angazhuar në luftërat në Irak dhe Afganistan pas sulmeve në Nju-Jork dhe Uashington më 11 shtator të vitit 2001.
 
Objekti i burgut, të cilin e hapi paraardhësi i Obamës, Xhorxh Bush i riu, u bë simbol për trajtim agresiv ndaj të burgosurve, që shkaktoi akuza kundër SHBA-së për torturë./mia