Alarm për skllavëri moderne, 300 fëmijë shfrytëzohen në Evropë
Policia holandeze ka zbuluar katër rrjete kriminele që keqpërdorin punën e fëmijëve në Holandë, Spanjë, Austri, Kroaci dhe Bosnjë...

Prokurorët e konsiderojnë si skllavëri moderne fenomenin me shtrirje në të gjithë botën që ka si viktima fëmijët e shtresës së varfër.
Gjashtë fëmijë të humbur nga Holanda u gjetën në kushte të tmerrshme në Spanjë javën e kaluar, teksa një çift rreth të 40-ve u arrestua.
Operacioni filloi më shumë se një vit më parë, kur hetuesit në Amsterdam vunë re se një grup fëmijësh kontrollohej vazhdimisht nga disa të rritur.
Fëmijët ishin hequr nga shkolla për të për të bërë këtë punë, pra për të grabitur dyqane dhe njerëz në rrugë ose siç ne i njohim me termin hajdutë xhepash.
Policia holandeze thotë se rreth 300 fëmijë janë duke u shfrytëzuar në Evropë nga banda që i detyrojnë ata të vjedhin 1 mijë euro në ditë.
Hetuesit holandezë besojnë gjithashtu se vajzat minorene që përdoren nga të rriturit për vjedhje janë abuzuar edhe seksualisht dhe disa prej tyre kishin mbetur shtatzënë.
Sipas mediave holandeze, disa nga fëmijët ishin nën mbikëqyrjen e të rinjve dhe më herët ishin raportuar si të humbur nga qendër azilkërkuesish në Ter Apel, në veri-lindje të Holandës.
Prokurorët thonë se kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi ka më shumë fëmijë në Holandë viktima të këtij fenomeni.
Policia beson se fëmijët kishin ardhur nga familje të varfra në Bosnjë dhe vende të tjera të ish-Jugosllavisë.
GAZMEND KURTISHI
