Botë

Brexit ose jo? Sot referendumi në Britani

23.06.2016 13:30

Britania ka hapur sot në orën 7 të mëngjesit me atë lokalen qendrat e votimit në kuadër të mbajtjes së referendumit...

Britania ka hapur sot në orën 7 të mëngjesit me atë lokalen qendrat e votimit në kuadër të mbajtjes së referendumit në lidhje me të ashtuquajturën çështjen Brexit, e cila do të përcaktojë nëse vendi do të vijojë të mbetet pjesë e Bashkimit Evropian apo do të dalë nga unioni.

Në këtë referendum të tretë mbarëkombëtar do të kenë të drejtën e votës një shifër rekord prej më shumë se 46 milionë qytetarësh në bazë të shifrave të publikuara nga komisioni zgjedhor.

Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 10 të mbrëmjes me atë lokalen, ndërkohë që në votime do të marrin pjesë edhe qytetarët që jetojnë jashtë Britanisë.

Pas mbylljes së votimeve, kutitë e votimit do të dërgohen në 382 qendra numërimi, nga ku do të dalin edhe rezultatet.

Komisioni zgjedhor bëri gjithashtu me dije se në rast se çdo gjë do të vijojë sipas parashikimeve, rezultati do të bëhet i ditur ditën e premte në orët e mëngjesit.

Politikanët britanikë kanë debatuar për më shumë se katër muaj për çështjen Brexit, teksa gjëja që ka rënë më shumë në sy ka qenë përçarja e partive.

Kryeministri konservator, Cameron, i cili mbështet idenë e qëndrimit, ka pasur kundërshtime nga gjashtë sekretarë të kabinetit të tij, përfshirë emra të rëndësishëm të kësaj force politike, si Boris Johnson, Michael Gove etj.

Nga ana tjetër, laburisti Corbyn ka mbajtur një qëndrim pro BE-së, por edhe ai ka pasur kundërshti brenda partisë.

Sondazhet paraprake kanë treguar rezultate të ndryshme, ndaj është vështirë të përcaktohet se cila fushatë do të arrijë ta fitojë referendumin.

Megjithatë, ekspertët kanë deklaruar se rezultati përfundimtar do të ndahet nga një diferencë e ngushtë votash.

GAZMEND REXHEPI