Maqedoni
Projekt për menaxhim me mbeturinat, paralajmërohen deponi me standarde evropiane
23.06.2016 13:46
Me mbështetje nga fondet evropiane po realizohet projekti për përpilimin e dokumenteve të nevojshme...

Me mbështetje nga fondet evropiane po realizohet projekti për përpilimin e dokumenteve të nevojshme për vendosjen e sistemit të integruar dhe financiarisht të qëndrueshëm për menaxhim me mbeturinat në rajonin planor veri-lindor.
Projekti parasheh përpilimin e studimeve të nevojshme dhe dokumentacionit në përputhje me kërkesat e BE-së dhe ligjet vendore me qëllim që të mund të aplikohet për financim nga IPA fondet për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme.
Udhëheqësi i projektit, Antonis Mavropulos, tha se projekti ka për qëllim krijimin e kushteve për ndërtimin e deponisë së parë në Maqedoni me standarde evropiane.
“Për momentin jemi në vizita në terren në lokacione të caktuara që ishin propozuar si të mundshme për deponinë e re. Kontaktojmë edhe me kryetarët e komunave të këtyre rajoneve për gjetjen e vendit adekuat për ndërtimin e objekteve të reja”,- deklaroi udhëheqësi i projektit, Antonis Mavropulos.
Zëvendësministri i Ambientit, Stevo Temellkovski, theksoi se problemi me mbeturinat është i pranishëm në tërë vendin, por me mbështetje nga fondet evropiane dhe me planin për menaxhim me mbeturina po bëhen përpjekje për zgjidhjen e këtij problemi.
“Vitin që vjen do të aplikojmë në BE për objekte infrastrukturore dhe do të fillojmë t’i ndërtojmë stacionet e shumëpritura të transferimit, deponitë standard, pajisje për mbledhje, selektim dhe trajtim të mbeturinave të forta”,- tha zëvendësministri i Ambientit, Stevo Temellkovski.
Ai njëherit theksoi se në rrjedhë e sipër janë edhe projekte tjera që po realizohen me mbështetje të BE-së, që kanë të bëjnë me menaxhimin e mbeturinave, përfshi edhe mbylljen e deponive të egra të cilat janë të pranishme pothuajse në të gjitha qytetet dhe vendbanimet.
GYLTENE SINANI
