Maqedoni

Rasti “Fortesa”, Jankullovska: jam e pafajshme, PSP dorë e zgjatur e LSDM-së

23.06.2016 15:17

Ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankulloska, është marrë në pyetje në Gjykatën Themelore Shkupi 1 për rastin “Fortesa”...

Jankullovska e ka hedhur poshtë çdo akuzë për punën e saj në krye të policisë.  
 
“Prokuroria Speciale bën qërim hesapesh në emër të interesave politike të LSDM-së. Me seancën e sotme edhe një herë u vërtetua ajo që flitet në opinion, se Prokuroria Speciale është dorë e zgjatur e opozitës dhe kjo vërtetohet me faktin se gjatë dëgjimit PSP kërkon edhe shkarkimin e gjykatëses së lëndës. Ajo vepron në koordinim me opozitën. Por, pa marrë parasysh mekanizmat që ata përdorin, unë cdo herë do të paraqitem para institucioneve. Dua që të demaskohen akuzat e PSP-së, LSDM-së dhe të gjithë atyre që vlerësojnë se kjo është mënyra më e mirë që të përfitojnë politikisht. Mohoj çfarëdolloj fajësie. Jam e qetë, pasi nuk kam kryer asnjë krim përderisa kam punuar në MPB. Kam vepruar profesionalisht dhe me dinjitet”- deklaroi ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
 
Jankulloska ëhstë personi i tretë i akuzuar në rastin “Fortesa” dhe është marrë në pyetje nga gjykatësja, Aleksandra Pop-Stefanija. Por, seanca dëgjimore u ndërpre kur erdhi radha e shefit të Drejtorisë së Pestë të MPB, Goran Grujevski, për shkak të kërkesës së PSP-së që gjykatësja, Pop-Stefania, e cila e procedon rastin “Fortesa”, të largohet.
 
Kërkesa për përjashtim të gjykatëses vjen pasi Stefanija hodhi poshtë kërkesat për paraburgim dhe për masat e kujdesit të PSP-së kundër ish kryeshefit të Drejtorisë së Pestë të DSK-së, Goran Grujovski, ish-ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe tre të dyshuarve të tjerë në këtë rast.
 
Gjykatësja, madje, e quajti PSP-në si jokompetente për rastin “Fortesa”. Nga PSP atëherë deklaruan se bëhet fjalë për vendime absurde dhe konstatime të palogjikshme.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI