Maqedoni
Fjalimi i Ivanovit, Musliu: si fjalimet e regjimit ish komunist
23.06.2016 16:37
Fjalimi i Ivanovit i ngjason fjalimeve të regjimit ish komunist, ku faji hidhet tek të gjithë të tjerët pos pushtetit, vlerëson analisti, Albert Musliu...

Sipas tij, Ivanov vetëm se po i përsërit skandalet e tij, ndërsa në vend që të jetë kryetar i të gjithë popullit, ai po sillet si një instrument i VMRO-DPMNE-së.
“Ivanov mbrëmë e vërtetoi se është vetëm një instrument i aparatit VMRO-DPMNE, edhe çdo gjë që bën e bën për interes edhe me nevojën e VMRO-DPMNE-së. Ashtu që prej atij fjalori nuk mund të nxjerrim asgjë që ka të bëjë me realitetin, asgjë që ka të bëjë me eventualisht qetësimin e skenës politike, por vetëm promovimin e ideve, edhe, siç thashë, nevojave të VMRO-DPMNE-së”,- deklaroi analisti, Albert Musliu.
Musliu gjithashtu thotë se është e pakuptueshme fjalimi ku mes tjerash ai tenton të justifikojë vendimin për falje, por edhe tërheqjen e aboliacionit.
“Presidenti Ivanov tentoi dje ta justifikojë veprimin e vet. Në fakt tentoi të justifikojë dy veprime diametralisht të kundërta, aboliacionin edhe tërheqjen e aboliacionit, në njërën prej rasteve ai ka gabuar. A ka gabuar në rastin e abolicionit ose në tërheqjen, ai nuk kishte gatishmëri as elokuencë që atë ta pranojë”,- tha Musliu.
Presidenti Ivanov mbrëmë kishte deklaruar se opozita, sektori civil dhe faktori ndërkombëtar po veprojnë në dëmtim të shtetit, ndërsa Prokuroria Speciale Publike e kishte vlerësuar se po vepron në mënyrë selektive.
ERSAN PAJAZITI
