Maqedoni

Fjalimi i Ivanovit, BDI: pesha e tij njëjtë sa pesha e jolegjitimitetit

23.06.2016 17:19

Pas fjalimit të mbrëmshëm të presidenti të shtetit, Gjorge Ivanov, nuk kanë munguar reagimet e partive politike...

Bashkimi Demokratik për Integrim peshën e fjalimit të presidentit Ivanov e krahason me peshën e tij prej presidenti jolegjitim. 
 
“Deklaratat e zotit Ivanov kanë vlerë aq sa ka vlerë legjitimiteti i tij prej presidenti. BDI ndoshta është subjekti i vetëm politik i cili mbetet me qëndrim të pandryshueshëm rreth këtij njeriu, duke kontestuar legjitimitetin e tij që nga dita e kandidimit të tij për president të shtetit. Ai ka thelluar krizën, ka kontribuar në thellimin e saj, kemi bërë gjithçka që mundemi për të bërë presionin e nevojshëm, për të krijuar kornizën ligjore që ai të tërheq vendimin për falje, kemi dhënë përkrahjen për impiçment edhe pse theksuam se me këtë vetëm japim porosi politike, sepse nuk i kemi numrat për dorëheqjen e tij. Mbetemi me këtë porosi të rëndësishme, se Maqedonia më pas këtij njeriu nuk mund t’i lejojë edhe një herë të jetë president, i cili nuk do të reflektojë vullnetin e dy shumicave në vend”,- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Kanë reaguar edhe nga partia LR-PDSh, duke e cilësuar presidentin Ivanov si vegël dhe zëdhënës të VMRO-së.
 
“Qytetarët shqiptarë sidomos, të kenë kujdes, pasi ky regjim shpeshherë është munduar që krizës në Maqedoni t’i jep prefiksin etnik, për ta tërhequr vëmendjen nga problemet reale”,- thuhet në reagimin e LR-PDSh-së.
 
Lidhja Demokrate dhe Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë kërkon dorëheqjen e presidentit, duke e quajtur katastrofal fjalimin e tij.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU