Kolumbi, nënshkruhet marrëveshja e çarmatosjes së Farc
Qeveria kolumbiane dhe guerrilasit e FARC-ut duket se i dhanë fund një prej luftërave më të vjetra në botë me nënshkrimin...

Qeveria kolumbiane dhe guerrilasit e FARC-ut duket se i dhanë fund një prej luftërave më të vjetra në botë me nënshkrimin e një marrëveshjeje pas më shumë se 50 vitesh konflikt.
Në një ceremoni në Havana, i ndjekur nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, presidenti, Juan Manuel Santos, dhe shefi i guerrilasve, Timoleon “Timochenko” Jiménez ishin dëshmitarë të ujdisë së armëpushimit, e cila fliste për çarmatosjen e rreth 7.000 luftëtarëve të përfshirë në sulme.
Edhe pse verdikti përfundimtar për paqe do të kërkojë referendum, ndërprerja formale e armiqësive është një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së një lufte që ka shkaktuar rreth 250 mijë të vdekur dhe shpërnguljen e më shumë se 6 milionë njerëzve.
Të tjerë dëshmitarë të ujdisë ishin edhe krerë të Amerikës Latine, midis tyre presidenti kuban, Raul Castro, dhe homologu i tij nga Venezuela, Nicolas Maduro, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në inkurajimin e bisedimeve për paqe.
Marrëveshja përfundimtare pritet të marrë disa muaj dhe analistët gjykojnë se ajo do të nënshkruhet në ditën e Pavarësisë së Kolumbisë, më 20 korrik.
