Maqedoni

15 vjet nga Beteja e Haraçinës, investime kapitale

24.06.2016 15:12

Në Komunën e Haraçinës u përkujtua 15 vjetori i Betejës së Haraçinës dhe 20 vjetori i themelimit të komunës...

Me këtë rast, autoritetet lokale në prani edhe të përfaqësuesve të institucioneve qendrore, kanë inauguruar sallën e re të sportit, dritaret e reja të shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Shkenderbeu” dhe  disa rrugë të asfaltuara në Haraçinë.
 
“Shkolla jonë, me numër aq të madh nxënësish, ka pasur nevojë për një sallë sportive e cila është një ndër më modernet në Maqedoni. Salla sportive ka një sipërfaqe prej 1.182 metra katrorë, ka panele me kapacitet 400 ulëse, dhoma për zhveshje, dush, kabina, pajisje moderne për sport dhe ambiente të veçanta për arsimtarët  dhe vendosjen e pajisjeve sportive”,- deklaroi drejtori i Shkollës “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”, Rexhep Bajrami.  
                                                                                                                                      
“Para 15 viteve, Haraçina u bë e njohur me rezistencën e djemve të kësaj ane, që arriti të përmirësojë statusin politik juridik të shqiptarëve të Maqedonisë. Unë dua sot t’i falënderoj të gjithë ata që kontribuuan për këtë. Ajo betejë do të mbahet mend gjatë kohë. Ne vazhdojmë me punën dhe aktivitetet për të realizuar projekte tjera dhe do të vazhdojnë betejat në forma të ndryshme, me qëllim që shqiptarët e Maqedonisë t’i realizojnë të drejtat e tyre”, - tha sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdylaqim Ademi.
 
Të gjitha projektet dhe përfitimet që i shijojnë sot jo vetëm haraçinasit, por të gjithë shqiptarët në Maqedoni, janë rezultat i fitores së UÇK-së, që u vendos pikërisht në Betejën e Haraçinës, theksoi me këtë rast kryetari i kësaj komune, Brahim Ajvazi.        
                                                                                                      
“Jemi krenarë se në këtë datë dihet se UÇK ishte fitimtare dhe vendimtare për uljen e kundërshtarëve tanë që ishin edhe më përgatitur ushtarakisht dhe arsenalet, por nuk arritën ta mposhtin UÇK-në. Këtu në Haraçinë veproi batalioni 5 i Brigadës 113 Ismet Jashari, i cili batalion u quajt Batalioni i Vdekjes”, theksoi kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
 
“Beteja e Haraçinës nuk është e njohur vetëm në Shkup, Beteja e Haraçinës u njoh botërisht me Abaz Beqirin dhe gjithë dëshmorët të cilët prehen qetësisht sot në këtë memorial ku jemi ne. Beteja e Haraçinës ua bëri me dije faktorit kombëtar, palës sllave dhe faktorit ndërkombëtar se shqiptarët janë autoktonë në këto vende dhe se gjaku i tyre bëhet lum e krua derisa të arrihen qëllimet dhe liria të cilën e meritojnë”,- u shpreh Fatmir Limani nga ShVL- UÇK.                                 
 
Nga Komuna e Haraçinës po ashtu bëjnë të ditur se pas miratimit të planit detal urbanistik do të vazhdojnë investimet në rrjetin e kanalizimit, me ç’rast njëherë e përgjithmonë do t’i jepej fund problemit me ujërat e zeza.
 
REXHEP QAMILI