Ekonomi

Bogov: periudhë e të papriturave në ekonomi

24.06.2016 15:42

Ekonomia vendore është e paparashikueshme për shkak të të papriturave në ekonominë globale...

Ekonomia vendore është e paparashikueshme për shkak të të papriturave në ekonominë globale, evropiane dhe sidomos për shkak të krizës politike në vend.
 
Dalja e Britanisë së madhe nga BE nuk pritet të ketë efekt në ekonominë vendore, pasi qytetarët e Maqedonisë nuk kanë shumë funta në kursimet e tyre, thotë guvernatori, Dimitar Bogov. Sipas tij, me rëndësi është se çfarë do të ndodh në të ardhmen me ekonominë globale dhe atë evropiane, me të cilën ekonomia maqedonase është e lidhur shumë dhe nga e cila do të kemi ndikim.
 
“Kjo është periudhë e të papriturave, e të papriturave globale, e nëse kësaj ia shtojmë edhe të papriturat politike vendore është vështirë në këtë moment të parashihen efektet. Duhet të presim që në ditët në vijim të qartësohen lëvizjet globale, pasi që sot në mëngjes ka panik në tregje, lëvizje të pakontrolluara, por shihet një qetësim i caktuar dhe vlerësoj se javën tjetër edhe në tregje do të sundojë arsyeja, kështu do të shohim se si do të jenë lëvizjet në periudhën që pason”,- deklaroi guvernatori, Dimitar Bogov.
 
Ekonomia e Maqedonisë tradicionalisht është e orientuar nga euroja, thekson Bogov, duke sqaruar se situata në tregun devizor është  stabilizuar në tërësi që nga java e fundit e majit. 
 
Në periudhën që pason, Banka Popullore pret ofertë të shtuar të devizave shkaku i remitancave që sjellin mërgimtarët gjatë sezonit veror.
 
Gjatë prezantimit të raportit vjetor, para Komisionit për financa dhe buxhet, Bogov tha se ekonomia vendore në vitin 2015 e ka mbajtur rritjen solide në 3,7%, përkundër rreziqeve nga brenda dhe jashtë.
 
Në harmoni me projektimet makroekonomike, edhe në vitin 2016 priten realizime solide makroekonomike, theksoi Bogov.
 
SHPËTIM NUREDINI