Botë
Reagimet për largimin e Britanisë nga BE: keqardhje, por BE vazhdon pa Britaninë
24.06.2016 16:40
Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE paraqet moment të vështirë politik brenda Bashkimit Europian...

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE paraqet moment të vështirë politik brenda Bashkimit Europian, megjithatë BE është përcaktuar për t’a mbajtur unitetin me numrin 27.
Kështu deklaroi kryetari i Këshillit Europian, Donald Tusk, pasi zyrtarisht shpalli rezultatin se britanikët janë përcaktuar për largim nga Bashkimi Europian.
“Sot përpara 27 liderëve mund të them se ne jemi të përcaktuar t’a mbajmë unitetin tonë si 27. Për të gjithë ne, BE është kornizë për një të ardhme të përbashkët. Dua të siguroj se nuk do të ketë skenare negative, derisa Mbretëria e Bashkuar në mënyrë formale do t’a lëshon BE-në”,- deklaroi kryetari i Këshillit Europian, Donald Tusk.
Me largimin e Britanisë së Madhe nga BE, ndryshimet më të mëdha pritet të jenë në strukturat politike ekonomike, ka theksuar kryetari i Parlamentit Europian, Martin Shultz.
“Britania e Madhe me vite mendohet nëse ka dashur të jetë anëtare fuqiplotë e BE-së apo jo. Tash e kemi të qartë, vendosën të shkojnë në rrugën e tyre. Të dhënat ekonomike thonë se na pret rrugë e vështirë”,- theksoi kryetari i Parlamentit Europian, Martin Shulz.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, vendimin e Britanisë së Madhe për dalje nga BE e ka quajtur kthesë për Europën.
“Nuk ka mënyrë tjetër. Sot është çast vendimtar për Evropën dhe procesin e Bashkimit Europian. Tani qëllimi i bisedimeve të ardhshme duhet të jetë sigurimi i marrëdhënieve dypalëshe me Britaninë në bazë të bashkëpunimit të ngushtë”, tha kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE nuk do t’a dobësojë pozicionin e saj në vendimet dhe rolin që ka në Aleancën e Paktit Veriatlantik, ka komentuar sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Britanikët vendosën t’a lëshojnë BE-në. Siç përcakton kapitulli i ardhshëm, pozita e Mbretërisë së Bashkuar do të mbetet e njëjtë. Mbretëria e Bashkuar do të mbetet e përkushtuar në aleancën e NATO-s dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj udhëheqës. Ne si aleancë do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me BE-në”,- u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm kroat, Miro Kovaç, ka thënë se dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE nuk do t’a ndalë zgjerimin e BE-së në Ballkan.
Ndërkohë, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai respekton vullnetin e popullit britanik, por Serbia do të vazhdojë rrugën e saj drejt integrimit, që i siguron integritet dhe prosperitet vendit.
Britania e Madhe do të jetë vendi i parë që do të shkëputet nga BE që prej krijimit të saj.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
