Maqedoni
Largimi i Britanisë së Madhe nga BE, analistët të ndarë për impaktin ndaj Maqedonisë
24.06.2016 16:51
Analistët e vendit janë të ndarë në qëndrimet e tyre se si ikja e Britanisë së Madhe nga BE do të ndikojë në pretendimet për anëtarësim në BE...

Analistët e vendit janë të ndarë në qëndrimet e tyre se si ikja e Britanisë së Madhe nga BE do të ndikojë në pretendimet për anëtarësim në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe Maqedoninë.
Analisti politik, Hasan Jashari, thotë se të gjitha zhvillimet socio-politike të Maqedonisë janë zhvilluar në drejtim të integrimeve evropiane, pjesë e të cilave ka qenë edhe Britania e Madhe.
Tani, sipas Hasanit, mund të fuqizohen pozicionet ruse dhe fuqive të tjera botërore.
“Tanimë 20 vjet pas vitit 1991, të gjitha lëvizjet politike, ekonomike, kulturore, të gjitha aktivitetet janë bazuar pikërisht në integrimet europiane në të cilat ka marrë pjesë edhe Britania e Madhe. Tani kemi të bëjmë me një proces që u shkon për shtati forcave regresive, Rusisë dhe fuqive të reja botërore, siç janë Kina edhe India, që do të thotë se kemi të bëjmë me një proces regresiv të dezintegrimit dhe dobësimit të raporteve sociale, kohezionit social dhe politik në Europë, gjithashtu edhe dobësimit të shpresave të vendeve të vogla, të vendeve të varfra, siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor”,- deklaroi analisti politik, Hasan Jashari.
Ndërkaq, analisti, Ivica Josifoviç, thotë se Britania e Madhe ka qenë dhe mbetet mike e Maqedonisë dhe nuk do të jetë shembull dekurajues në përpjekjet eurointegruese të vendit.
“Mendoj që edhe në periudhën që vjen Britania e Madhe do të mbetet mike ndaj Maqedonisë dhe nuk e besoj që ata do të angazhoheshin që vendi të mos ecë drejt Unionit Europian ose të mos realizojë reformat të cilat janë domethënëse për anëtarësimin e vendit në BE”,- theksoi analisti, Ivica Josifoviç.
Analistët thonë se me largimin e Britanisë së Madhe nga familja europiane mund të dobësohen vetë institucionet e BE-së, Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni Europan, pasi që edhe vende të tjera, sikurse Franca, Austria dhe Holanda, mund të nisnin procedurat për largim.
MERAL ISMAILI
