Maqedoni

Largimi i Britanisë, reagojnë partitë politike në RM

24.06.2016 16:56

Pas verdiktit të djeshëm të britanezëve në referendum për largimin nga BE, ka reaguar edhe politika në Maqedoni...

VMRO-DPMNE vlerëson se pas këtij referendumi, Maqedonia humbi një mbështetës të madh në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike. 
 
“Është një vendim ekskluziv i shtetasve dhe taksapaguesve të Britanisë, i cili duhet respektuar dhe duhet të ju dëshirojmë sukses në rrugën që ata zgjodhën. BE-ja humbi një vend anëtar shumë të rëndësishëm, kurse Ballkani dhe Maqedonia humbën një vend që përkrahte pa rezervë procesin e zgjerimit”, komentojnë  nga VMRO-DPMNE. 
 
Nga LSDM-ja vlerësojnë se BE-ja duhet të jetë rruga e vetme drejt së cilës duhet të ecë Maqedonia. 
 
“Ndajmë shqetësimin i cili ekziston tek të gjitha vendet anëtare të BE-së pas referendumit në Britani. Në veçanti, Maqedonia humbi një nga shtetet të cilat ishin përkrahëse të fuqishme të zgjerimit. Si vend që kryesoi me BE-në, Britania fuqishëm ka përkrahur statusin e kandidatit për Maqedoninë”, thonë nga LSDM. 
 
Për BDI-në, referendumi i djeshëm do të ketë pasoja për të gjitha vendet që aspirojnë aderimin në BE. 
 
“Zgjerimi më nuk do të jetë prioritet i BE-së, por gjithsesi janë pozitive reagimet e para nga BE që thërrasin për unitet. Maqedonisë i mbetet të vazhdojë të punojë për aspiratat europiane, derisa Unioni të vazhdojë të ekzistojë”, deklarojnë nga partia shqiptare në pushtet.
 
Për PDSh-në gjithashtu rruga e vetme për Maqedoninë është ajo drejt BE-së. 
 
“Rritjen e euro-skepticizmit mund ta shfrytëzojnë qarqe të ndryshme në vend, por jo edhe shqiptarët. Anëtarësimi në BE dhe në NATO janë çështjet primare për shqiptarët. Të tjerët mund të mendojnë alternativa të tjera, por pa shqiptarët”,- komentojnë referendumin nga PDSh.
 
GYLTENE SINANI