Maqedoni

Gjorge Ivanov: grupi ishte i gatshëm për trazira

24.06.2016 17:55

Pas një takimi që ka realizuar në Ministrinë e Brendshme presidenti, Gjorge Ivanov, në pyetjen e gazetarëve ka përsëritur qëndrimin e tij...

Pas një takimi që ka realizuar në Ministrinë e Brendshme presidenti, Gjorge Ivanov, në pyetjen e gazetarëve ka përsëritur qëndrimin e tij se në Maqedoni është futur një grup i madh i ashtuquajtur “Grupi i Kumanovës”, të cilët, sipas tij, kanë qenë të gatshëm të shkaktojnë trazira në vend.
 
“Nuk bëhet fjalë për grup prej 40 personave, por për një grup shumë më të madh, nga të cilët 40 erdhën në territorin e Maqedonisë. Ky informacion është dhënë para disa muajve, tani vetëm se e kam përsëritur, sepse të gjitha pyetjet që ishin parashtruar nga deputetët lidhur me përgjegjësinë time meritonin përgjigje. Ajo përgjigje është kthimi i gjendjes që ishim në Maqedoni në momentin kur unë solla vendimin për falje për të arritur pajtim në shtet”,- deklaroi kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Ivanov tha se, me kërcënimet e ngjashme që po ballafaqohet Europa, i ndjen edhe Maqedonia.
 
Ai foli edhe për kapacitetet e Maqedonisë për t’u ballafaquar me krizën e emigrantëve.
 
“Ushtria tregoi sjellje profesionale. Suksesshëm u ballafaquam me sfidën e krizës së emigrantëve. Do të ketë valë të dytë të emigrantëve, mirëpo ne kemi kapacitet të ballafaqohemi me të gjitha sfidat. Me valën e parë të emigrantëve, dëshmuam dhe ishim shembull për shtetet tjera”,- tha kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov, tha se me sukses po përballen me krizën e emigrantëve, ndërsa sqaroi se në bazë ditore kapin apo pengojnë në qarkullim rreth 200 deri në 300 refugjatë.
 
NAIM RAMADANI