BOKS

Sonte, Haxhi Krasniqi përballë Emmanuel Dansos

28.03.2014 19:03

Boksieri nga Juniku me nënshtetësi gjermane, Haxhi Krasniqi, do të ngjitet sonte në ring, ku do të përballet me boksierin ganez, Emmanuel Danso…...

Boksieri nga Juniku me nënshtetësi gjermane, Haxhi Krasniqi, do të ngjitet sonte në ring, ku do të përballet me boksierin ganez, Emmanuel Danso.

Fitorja në këtë duel do t’ia mundësonte boksierit kosovar një luftë tjetër për titullin e kampionit botëror, pasi vitin e kaluar pësoi humbje në duel me britanikun, Nathan Cleverly.

“Në përballjen me Cleverlyn mora shumë përvojë. Tani kundërshtari im është një boksier që ka nivel të lartë të nokautëve, por një fakt i tillë nuk më frikëson. Unë e bëj lojën time dhe mezi pres të ngjitem në ring. Fitorja kundër Dansos më jep shumë opsione për tituj në WBA dhe WBO, prandaj dua ta marrë sa më shpejt rastin për të luftuar për titullin e kampionit botëror”, - ka thënë Haxhi Krasniqi, i cili deri më tash ka zhvilluar 43 meçe, prej të cilave ka 40 fitore e 3 humbje.

Në anën tjetër, Emmanuel Danso në karrierën e tij si profesionist në 20 duelet e deritashme nuk ka pësuar asnjë humbje. “Mua nuk më intereson kush është Krasniqi. Jam përgatitur ta fitoj këtë duel. Nokauti është gjithmonë synimi im. Në vendlindje më quajnë ‘Tyson’ dhe ndihem krenar për këtë gjë”, ka theksuar Danso.

Dueli ndërmjet Haxhi Krasniqit dhe Emmanuel Dansos do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1 (në rrjetin tokësor), kurse këtij dueli do t’i paraprijë një emision me njohës të boksit, që fillon në orën 21:30. (RTK)