Maqedoni
Hashim Thaçi: Spanja së shpejti do ta njohë Kosovën
26.06.2016 17:52
Spanja është “një shtet miqësor”, i cili së shpejti do të njohë pavarësinë e Kosovës ka deklaruar presidenti i Kosovës...

Spanja është “një shtet miqësor”, i cili së shpejti do të njohë pavarësinë e Kosovës ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një interviste për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE derisa po qëndron në inaugurimin e projektit të zgjerimit të Kanalit të Panamasë, së bashku me Mbretin e Spanjës.
Thaçi me këtë rast nuk ka dashur të tërheq paralele mes pavarsimit të Kosovës dhe lëvizjeve separatiste në Spanjë.
“Spanja nuk është Serbi, e as Katalonia Kosovë”, ka deklaruar Hashim Thaçi. Duke folur për marrëdhëniet e Kosovës me Spanjën, si dhe me administratën e Katalonisë dhe Shtetit Bask, Thaçi ka deklaruar se “Spanja është shtet mik i Kosovës” duke sqaruar se “institucionet e Kosovës kanë marrëdhëniet të mira me institucionet e Spanjës në Madrid”. Ai shfaqi besimin se “Spanja do të marrë vendimin për të njohur pavarësinë e Kosovës”.
“E kam vizituar Madridin. Spanja ka njohur dokumentet me të cilat është shpallur pavarësia. Gjithashtu, edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata si UEFA e FIFA, është mirëpritur nga të gjithë. Spanja ka duartrokitur dhe përshëndetur paqen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel”, theksoi Thaçi.
Ai lavdëroi edhe trupat spanjolle në kuadër të KFOR-it të cilët tha ai, kanë bërë një punë shumë të mirë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar vendet të Amerikës Latine që ta njohin pavarësinë e Kosovës, pasi sipas tij, Kosova “ka prodhuar argumente të mjaftueshme të tolerancës dhe zhvillimit” në mënyrë që vendet që s’e kanë njohur ta bëjnë këtë gjë.
NAIM RAMADANI
