Botë

Britani, referendum i dytë kundër daljes nga BE-ja

26.06.2016 18:34

Vazhdon procesi I nënshkrimeve për peticionin në Britani për realizimin e një referendumi të dytë kundër daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE.

Peticioni tashmë ka arritur më shumë se 2,8 milionë nënshkrime,ndërsa nëpërmjet tij i kërkohet qeverisë që të aplikojë një rregull sipas të cilit nëse preferencat “Qendroni në BE” apo “Largohuni” janë nën 60 për qind dhe pjesëmarrja nën 75 përqind, atëherë duhet të zhvillohet një referendum tjetër. 
 
Ligji britanik parashikon që nëse peticioni kalon 100 000 firmat, duhet të vlerësohet nga komisioni i ngarkuar dhe të paraqitet në parlament. Ish-kryeministri i Britanisë, Toni Bler, i nxitur edhe nga peticioni për një referendum të dytë nuk e përjashton që kjo të ndodhë.
 
“Siç po shoh, unë nuk e kuptoj sesi do të bëhet një referendum i dytë në këto momente, por unë nuk mund të përjashtoj asgjë. Nuk është e pamundur që të kemi një referendum të dytë, por tani nuk e kuptoj mekanizmin sesi do të bëhet”, tha Bler për “BBC”.
 
Ndërkohë Britania e Madhe vijon të jetë e përçarë. Pas dorëheqjes së Cameron edhe laburistët janë përçarë. Shkarkimi i papritur dhe dramatik i kryediplomatit në hije të laburistëve pritet të pasohet nga dorëheqja masive e gjysmës së kabinetit të opozitës, në shenjë proteste.
 
Nga ana tjetër Skocia e cila votoi per te qendruar ne BE kerkon një referendum për tu ndare nga Britania. Qeveria skoceze kërkoi diskutime me Brukselin për të ruajtur vendin e saj ne Europë.