BDI vazhdon fushatën “JO presidentit të njëanshëm”
BDI edhe në Strugë shpalosi argumentet se vendit i duhet një president konsenzual…..

Në kuadër të fushatës “Jo presidentit të njëanshëm”, BDI edhe në Strugë shpalosi argumentet se vendit i duhet një president konsenzual.
Lideri i integristëve, Ali Ahmeti, tha se duke iu referuar zërave se është BDI ajo që ka ulur pragun e zgjedhjes së presidentit, sqaroi se ky ndryshim është miratuar dhe vendosur nga të gjithë liderët e partive politike, ndaj u kërkoi atyre të gjejnë guximin dhe ta pranojnë këtë fakt.
“E vërteta është që ky vendim është marrë në prani të katër liderëve të partive politike në vitin 2008, ku prezent kanë qenë z. Cërvenkovski si president i asaj kohe, Nikola Gruevski si kryeministër, Zoran Zaev si ushtrues detyre, kryetari i LSDM-së, unë Ali Ahmeti, z. Menduh Thaçi dhe shoku im Xhevat Ademi që më ka përkthyer mua. (Sepse në nivel të lartë unë flas vetëm në gjuhën që e kuptoj unë). Kështu që le të bëhen të sinqertë e le të thonë se “po more e kemi bërë bashkë me Ali Ahmetin, por e kemi bërë këtë gabim”, që unë mendoj se nuk është gabim, sepse as 40 përqind e as 30 përqindshit, nga ideja madhore fisnike dhe idealin që është për Maqedoninë, ne nuk heqim dorë deri në realizimin e plotë. Do të thotë kjo është e vërteta”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Edhe përfaqësues të tjerë të BDI-së, argumentuan se presidenti i njëanshëm nuk i shërben shtetit shumetnik siç është Maqedonia.
“Zgjedhja e presidentit të njëanshëm nuk shkon në favor të funksionimit të shtetit multietnik, marrëdhënieve të mira midis bashkësive, forcimit të unitetit shtetëror, përkundrazi, presidenti i njëanshëm e përçan unitetin e shtetit, përfaqëson vetëm një bashkësi etnike, nuk reflekton karakterin multietnik të shtetit dhe vendimet e tij do të jenë jolegjitim dhe mund të kritikohen shumë lehtë si majorizuese. Andaj, këtë gjë nuk mund ta pranojmë”, theksoi kryetari i degës së BDI-së në Strugë, Ramiz Merko.
“BDI tha në mënyrë shumë serioze, bëri një kërkesë, e cila fatkeqësisht nuk u mbështet, por ne jemi të bindur se kjo kërkesë në qoftë se jo sot, nesër do të gjejë artikulimin e saj dhe do të detyrohet edhe pala maqedonase për ta kuptuar realitetin, sepse këtu nis stabiliteti, këtu ecën pajtimi ndërmjet dy etniteteve më të mëdha, këtu nis progresi i vendit tonë”, u shpreh Arben Labënishti nga BDI.
“BDI është kundër praktikave të deritanishme të zgjedhjes së presidentit të shtetit, praktikë e cila vazhdon edhe në këtë fushatë zgjedhore, ku kandidati për president vizitoi vendbanimet njëetnike të qytetit të Strugës, duke e përfunduar vizitën me një tubim në sheshin e Strugës, para një popullate po kështu njëetnike”, tha Tahir Hani nga BDI. (Mefail Ismaili, TVM2)
