Botë
Mafia kalabreze “Ndrangheta”, kapet pas 20 vitesh kërkime bosi mafioz Fazzalari
27.06.2016 12:11
Pas 20 vitesh në kërkim, Policia italiane ka arrestuar bosin e mafies kalabreze “Ndrangheta”, Ernesto Fazzalari...

Pas 20 vitesh në kërkim, Policia italiane ka arrestuar bosin e mafies kalabreze “Ndrangheta”, Ernesto Fazzalari, personi i dytë më i rrezikshëm e i shumëkërkuar në Itali dhe Europë, pas mafiozit Matteo Messina Denaro.
Ernesto Fazzalari, 46 vjeç, është arrestuar nga Policia e Rexhio Kalabrias teksa rrinte i fshehur në një shtëpi të braktisur shumë pranë vendlindjes Taurinova.
Bosi i mafies u arrestua në gjumë, në shoqërinë e partneres së tij 41 vjeçare. Ai u dorëzua pa asnjë rezistencë ndaj forcave të rendit.
Ndaj Ernesto Fazzalari rëndon dënimi i përjetshëm me burg për vrasje, krime me pjesëmarrje në aktivitet mafioz, armëmbajtje pa leje etj.
Bosi mafioz i sapoarrestuar, Eernsto Fazzalari, është një nga autorët e masakrës së vrasjes së 34 personave gjatë viteve ’90 në Taurinova e në rrethinat e Gioia Taura në rajonin e Kalabrisë.
Lajmi i arrestimit të personit të dytë më të rrezikshëm e të shumëkërkuar në Itali u bë publik nga vetë kryeministri italian, Matteo Renzi, i cili ka falënderuar punën e drejtësisë të autoriteteve italiane të rendit.
Pas arrestimit të bosit mafioz, zbret në 6 numri i personave të shumëkërkuar e të rrezikshëm nga Policia italiane.
