Halimi u prezantua në Trebosh të Tetovës
Kam pranuar të jem kandidat për president, sepse kam vlerësuar se nëpërmjet kandidimit tim, do të mund që shqiptarët të faktorizohen dhe të bëhen vendimmarrës për të përcaktuar se kush do të bëhet kryetar i shtetit të Republikës së Maqedonisë.......

Kam pranuar të jem kandidat për president, sepse kam vlerësuar se nëpërmjet kandidimit tim, do të mund që shqiptarët të faktorizohen dhe të bëhen vendimmarrës për të përcaktuar se kush do të bëhet kryetar i shtetit të Republikës së Maqedonisë.
Kështu u shpreh kandidati për kryetar të shtetit nga radhët e PDSH-së, Iljaz Halimi, para banorëve të fshatit Trebosh të Tetovës. Sipas tij, nëse arrin të bëhet kryetar i Maqedonisë, do të angazhohet maksimalisht të mos lejojë realizimin e projekteve etnoetnike, të cilat shkaktojnë përçarje dhe ndarje, siç është “Shkupi 2014”, kuptohet se vëmendje të veçantë do t’i përkushtohet buxhetit i cili nuk do të shkon për projekte përfituese për elitat politike, por do të shkon te qytetarët të cilët kanë nevojë, vendbanimet që kanë nevojë, rajonet të cilat kanë nevojë dhe kjo shpërndarje do të bëhet në mënyrë plotësisht të barabartë, u shpreh më tej kandidati për kryetar, Iljaz Halimi.
“Unë pranova të jem kandidat për president, sepse kam vlerësuar se nëpërmjet kandidimit tim do të mund që shqiptarët të faktorizohen dhe të bëhen vendimmarrës për të përcaktuar se kush do të bëhet kryetar i shtetit të Republikës së Maqedonisë. Natyrisht dëshirojmë të tregojmë se nuk jemi më të urtë, por jemi një komunitet i organizuar dhe natyrisht që jemi qytetarë dhe shtetas të këtij shteti, andaj edhe kemi hisen tonë dhe me vet kandidimin tim për kryetar shteti, ne dëshmojmë se kërkojmë ta marrim edhe hisen tonë. Nëse arrij që të zgjidhem kryetar shteti dhe kjo mund të arrihet nëse kemi një mbështetje të fuqishme jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të të gjithë të tjerëve, natyrisht se do të mundohem dhe do të angazhohem për një Maqedoni të barabartë midis shqiptarëve dhe maqedonasve, por edhe të tjerëve, asnjëherë nuk do të lejoj që të realizohen projekte etnoetnike, të cilat shkaktojnë përçarje dhe ndarje, siç është “Shkupi 2014”, kuptohet se vëmendje të veçantë do t’i përkushtohet buxhetit, i cili nuk do të shkon për projekte përfituese, për elitat politike, por do të shkon te qytetarët të cilët kanë nevojë, vendbanimet që kanë nevojë, rajonet të cilat kanë nevojë dhe kjo shpërndarje do të bëhet në mënyrë plotësisht të barabartë. Pra në emër të këtij angazhimi, kërkoj një mbështetje të fuqishme më 13 prill, që të dilni në mënyrë masovike dhe të më mbështetni mua dhe natyrisht PDSH-në dhe deputetët e saj më 27 prill”, u shpreh kandidati për kryetar nga PDSH, Iljaz Halimi.
Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, para banorëve të fshatit Trebosh, ka akuzuar politikën e gabuar të partisë politike shqiptare në pushtet, BDI-së. Duke thënë se ata nuk arrijnë që prej buxhetit të shtetit të marrin mbi 1.5 % për ta kultivuar veçantinë tonë si shqiptarë, për t’i kultivuar shkollat, arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën dhe kanalizimet dhe vazhdimisht vazhdojnë të na shesin mashtrime dhe gënjeshtra, ndërsa rezultati i tyre është zero dhe mendoj se këtë herë shqiptarët të gjithë do t’i ndëshkojnë në këto zgjedhje presidenciale dhe parlamentare, me vota zero, u shpreh me tej lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.
“Mos t’i quajmë ata që kanë votuar për BDI-në dhe partitë tjera si kundërshtarët tanë, por tu themi se kjo gjendje është e mjerueshme, fukarallëku i madh, këtë e bën dikush dhe kjo gjendje nuk mund të tolerohet që të vazhdojë kështu, ne duhet porosinë ta japim drejtpërdrejtë edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën edhe për bashkësinë ndërkombëtare, se si popull jemi tërësisht të pakënaqur me këtë gjendje. Kjo porosi jepet me datën 13 prill, kur votohet kandidatura e profesor Iljaz Halimit dhe të jeni të sigurt se ju punën tuaj e keni kryer, unë e kryej më pastaj”, deklaroi lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Para banorëve të fshatit Trebosh të Tetovës, fjalë rasti mbajti edhe kandidati për deputet nga rajoni i Zhelinës, Sami Ajdini, duke thënë se është një moment i posaçëm për të gjithë ne, për të ndaluar rrënimin dhe degradimin e vlerave shqiptare, për të ndaluar këtë hov të kësaj garniture qeverisëse. Sipas tij, kandidatët për deputet të PDSH-së, do të përpiqen me të gjitha forcat për ta merituar jo vetëm me fjalë e beteja kuvendore, por edhe me përkushtim të përditshëm për njerëzit dhe me përkushtim për t’i zgjidhur hallet dhe dertet e qytetarëve.
Me votën tuaj për PDSH-në, ju do të çliroheni nga kjo gjendje varfanjake dhe poshtëruese dhe do të na keni në krah në të mirë dhe në të keqe, do të jemi me ju, hallet tuaja do të jenë edhe tonat. Me votën tuaj pro PDSH-së, ju do të ndaloni projektet anti-shqiptare që po vijnë dhe shtohen dita-ditës. Me fitoren e PDSH-së nuk fiton PDSH-ja, fiton kauza kombëtare, do të fitojnë shqiptarët, nuk do të mund të rrihen fëmijët tanë nëpër Shkup dhe nuk do të lejojmë të sillen ligje diskriminuese për shqiptarët. Do të marrim hisen tonë që na takon nga buxheti i shtetit, u shpreh kandidati për deputet nga radhët e PDSH-së nga rajoni i fshatit Zhelinë, Sami Ajdini, duke shtuar se ka ardhur koha që edhe ne shqiptarët e Maqedonisë të bëjmë ndryshim dhe të mos jemi ndryshe nga shqiptarët e Tiranës dhe Prishtinës. Ne ua bëjmë me dije se nuk do të lejojmë më të tallen me djersën tonë dhe në ditët e para të marrjes së pushtetit të PDSH-së, do të vërehen ndryshimet në çdo aspekt të jetës shoqërore. Ai gjithashtu ka kërkuar mbështetjen e banorëve të fshatit Trebosh, me qellim që t’i përfaqësojë ata në mënyrën më dinjitoze, ashtu siç edhe e meritojnë.
Valbon Zizi nga Rinia Demokratike Shqiptare, para të pranishmëve tha se të gjithë jemi dëshmitarë se sot në Maqedoni ne të rinjtë ballafaqohemi me një situatë të mjerueshme, sociale, ekonomike dhe politike, ku për çdo ditë bashkëmoshatarët tanë rrihen rrugëve të Shkupit. Ne sot ballafaqohemi me probleme të mëdha ekonomike, papunësi të madhe, arsim të degraduar dhe gati me shpresa të humbura. Të gjithë në jemi dëshmitarë se si e shkatërruan arsimin shqiptarët, e vodhën USHT-në dhe u pasuruan në kurriz të idealeve dhe gjakut të derdhur për liri dhe barazi. Ai gjithashtu ka bërë apel deri te të gjithë shqiptarët e rinj dhe të reja, se është momenti t’ia ndalim hovin kësaj politike shkatërruese, t’i themi jo nënçmimit të mëtutjeshëm, duke dalë masovikisht në përkrahje të profesorit Iljaz Halimi në zgjedhjet presidenciale dhe duke mbështetur PDSH-në.
PDSH, ndërkohë edhe sot në një pres-konferencë ka vazhduar akuzat, ndaj siç thonë, aferave korruptive të funksionarëve të BDI-së. Funksionari i lartë i kësaj partie, Bekim Fazliu, ka akuzuar zëvendësdrejtorin e Drejtorisë për të Hyra Publike, Argëtim Asanin, kuadër i BDI-së, të cilin e ka akuzuar për shmangie nga pagesa e tatimit. Fazliu ka shpalosur edhe dokumente zyrtare nga Regjistri Qendror, në të cilat sipas tij, shihet qartë se Asani është bashkëpronar i firmës “TD AVEL” dhe ka borxh, tatime të papaguara prej afro 10 milion denarë.
Fazliu akuzon se nga e gjithë kjo, shihet qartë se firma e zëvendësdrejtorit të Drejtorisë për të Hyra Publike, Argëtim Hasanit, në vazhdimësi gjobit dhe shantazhon bizneset shqiptare dhe duke keqpërdorur pozitat zyrtare, ai i shmanget detyrimeve të veta ligjore, duke mos paguar tatimet ndaj shtetit.
Nga PDSH, pyesin edhe ministrin e financave, Zoran Stavrevskin, se përse hesht për këtë çështje.
“Është e habitshme heshtja e ministrit të financave, Zoran Stavrevskit. Shtrohet pyetje përse ai bëhet i shurdhër, në një situatë ku në bazë të dokumenteve, zëvendësdrejtori i “DAP-it”, Argëtim Asani, ka kryer krim, i cili përveç që keqpërdor detyrën zyrtare, duke mos paguar tatim, ka edhe konflikt interesi”, tha Bekim Fazliu nga PDSH.
PDSH, sot tubimet për prezantimin e kandidatit për president, i vazhdon në Dibër. (Besim Abdullai, TVM2)
