Maqedoni
Vendet e Grupit të Vishegradit, përkrahje Ballkanit në aspiratat drejt BE-së
27.06.2016 14:17
Pa marrë parasysh vendimin e britanikëve për largim nga BE-ja, vendet e Grupit të Vishegradit e përkrahin Ballkanin...

Pa marrë parasysh vendimin e britanikëve për largim nga BE-ja, vendet e Grupit të Vishegradit e përkrahin Ballkanin në aspiratat e tyre drejt eurointegrimit, përfshirë edhe Maqedoninë, theksoi ambasadori i Polonisë, Jacek Multanovski. Sipas tij, kriza politike zgjati shumë dhe duhet sa më shpejt të gjendet zgjidhje për shkak se shoqëria civile është frustruar tepër.
Sinjalet duhet të jepen prej këtu se po zhvillohet progres në drejtim të integrimit, tha Multanovski.
“Ne e kemi ndjekur krizën politike dhe kjo zgjati shumë dhe unë mendoj se duhet të gjendet një zgjidhje në të ardhmen e afërt, sepse shohim edhe frustracionin e shoqërisë. Marrëveshja është valide dhe kuptoj se ka mënyrë se si të përmbushen obligimet. Do të nënvizoja sipas meje disa pika: mbajtja e zgjedhjeve fer dhe demokratike, e dyta me rëndësi është edhe puna e opozitës, puna e PSP-së, si dhe shoqëria civile”,- deklaroi ambasadori i Polonisë në Maqedoni, Jacek Multanovski.
Ndihma e vendeve të Vishegradit për reformat që duhet t’i realizojë vendi është e mirëseardhur për Maqedoninë, deklaroi zëvendëskryeministri, Arbër Ademi, sipas të cilit vendi ndan vizion të njëjtë me vendet e BE-së.
“Marrë parasysh zhvillimet dhe ngjarjet në vend në vitin e kaluar, reformat serioze që duhet të realizohen në të ardhmen në fushën e sundimit të së drejtës, të drejtave fondamentale, lirisë së shprehjes dhe mediave, marrëdhënieve ndëretnike, reformave në administratën publike, si dhe menaxhimi ekonomik, ndihma juaj konkrete do të jetë me rëndësi të madhe si dhe përsëritja e përkrahjes suaj në takimet e Këshillit të BE-së”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Arbër Ademi.
Por, Ademi nuk e përjashtoi mundësinë që tronditja e BE-së me referendumin e Britanisë së Madhe të bart energji negative edhe në Maqedoni. Këto komente u thanë në ceremoninë e shënimit të 25 vjetorit të themelimit të Grupit të Vishegradit, me të cilin aktualisht udhëheq Polonia.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
