Maqedoni

Të drejtat e konsumatorëve, qytetarët interesohen pasi hasen me probleme

27.06.2016 15:23

Konsumatorët nuk janë të informuar sa duhet me të drejtat e tyre dhe në të shumtën e rasteve informohen vetëm pasi të përballen me ndonjë problem konkret...

Konsumatorët nuk janë të informuar sa duhet me të drejtat e tyre dhe në të shumtën e rasteve informohen vetëm pasi të përballen me ndonjë problem konkret, thonë nga Organizata e Konsumatorëve.
 
Sipas kësaj Organizate, qytetarët më shumë ankohen për lodra jo të sigurta për fëmijët, për prodhimet kozmetike dhe tekstil jocilësorë.
 
“Vitin e kaluar deri te Organizata e Konsumatorëve kishte mbi 2600 ankesa, të cilat u distribuuan deri te resorët e institucioneve kompetente. Pjesa më e madhe e tyre ishin për prodhime jokualitative që prishen shpejtë, riparimet nuk bëhen në kohë dhe nuk bëhet realizimi i të drejtës që pas tre riparimeve brenda afatit të garantuar të merret produkt i ri”,-  deklaroi kryetarja  e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë, Marijana Lloncar-Vellkova.
 
Rëndësi të madhe për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe informimin e tyre kanë institucionet kompetente, ku bëjnë pjesë edhe inspektoratet, theksojnë nga Ministria e Ekonomisë. 
 
“Në vitin 2015, Administrata doganore deri tek organet për mbikëqyrje të tregut i ka paraqitur 402 lajmërime për parandalimin e lëshimit të mallrave në tregun e lirë, prej të cilave 354 janë lojëra të fëmijëve dhe 27 mjete të mbrojtjes personale”,-tha sekretari shtetëror pranë Ministrisë së Ekonomisë, Aneta Dimovska.
 
Për të shpallur një prodhim të pasigurt duhet të jepet vërtetim si i tillë nga ana e Inspektoratit shtetëror të Tregut ose nga Inspektorati shtetëror për Sanitari dhe Shëndetësi, thonë nga Ministria e Ekonomisë dhe Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI