Maqedoni

Ambasadori Bejli për “Jugohromin”: Konsultoni qytetarët, duhet të veproni

27.06.2016 15:37

Ka kaluar afati për fillimin e vendosjes së filtrave nga ana e “Jugohromit”, por edhe pse vetë drejtuesit e fabrikës thanë se do të fillojnë punimet deri më 25 qershor...

Ka kaluar afati për fillimin e vendosjes së filtrave nga ana e  “Jugohromit”, por edhe pse vetë drejtuesit e fabrikës thanë se do të fillojnë punimet deri më 25 qershor, sot nuk kishte asnjë lëvizje në këtë drejtim.
 
Ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti, nuk deshi të komentojë zvarritjen e punimeve për vendosjen e filtrave. Ai përkujtoi vetëm se kombinati metalurgjik ka afat deri më 31 tetor për të përmbushur këtë obligim. 
 
“Në mua mos llogarisni avokat të “Jugohromit”, por jam përfaqësues i qeverisë dhe përfaqësues i popullit. Gjithsesi, ne jemi të interesuar, e kam thënë edhe më herët, qëndrimi ynë është publik, se jemi për “Jugohromin” dhe gjithsecilin që duhet të vendos filtra dhe të plotësohen standardet për të vazhduar me punë. Ju e dini se ka një vendim aktual deri më 31 tetor, por nëse janë vendosur apo jo dhe çka punohet për momentin do drejtoheni në “Jugokrom””,- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Bashkim Ameti.
 
Ambasadori amerikan, Xhes Bejli, kërkoi që në zgjidhjen e këtij problemi të përfshihen edhe qytetarët.
 
“Kjo është mënyra më e mirë se si duhet t’a zgjidhni këtë problem, pra me angazhimin e qytetarëve dhe të qeverisë. Është çështje komplekse, që ka të bëjë me punëtorët, me shëndetin e njerëzve, por gjithsesi duhet të ndërmerren veprime”,- tha ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli.
 
Afati përfundimtar për vendosjen e filtrave është 31 tetori, por që ai të përmbushet punimet duhej të kishin filluar deri tani.
 
VISAR SADIKI