Maqedoni
Në Dobrosh të Tearcës përurohet rikonstruimi i lumit Ponika
27.06.2016 16:07
Përfundimisht zgjidhet problemi i shtratit të lumit Ponika në fshatit Dobrosht të Komunës së Tearcës...

Në prani të ambasadorit të ShBA-së, Xhes Bejlit, ministrit të Ekologjisë, Bashkim Ametit dhe përfaqësuesve tjerë të komunës së Tearcës përuruan rikonstruktimin e shtratit të lumit i cili është financuar nga Komuna e Tearcës në bashkëpunim me USAID-in.
Ky është lumi që gjatë vërshimeve të tre gushtit shkaktoi probleme bujqësore dhe infrastrukturore të fshatit Debrosht, por për fat të mirë nuk mori jetë njerëzish.
“Historiku i këtij përroi është i gjatë dhe me shumë bujë, në shikim të parë të jep përshtypjen e një lumi të qetë, por në fakt ky lum disa herë ka vërshuar dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme material në këtë vend”,- deklaroi kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani.
“Realizimi i këtij projekti besoj se do të reduktojë rreziqet për banorët e vendit dhe do të ndihmojë në ruajtjen e pasurive të tyre nga dëmtimet dhe rreziqet eventuale në të ardhmen, dhe do të rikthejë shkëlqimin e lumit Ponika si më herët”,- tha ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti.
“Vërshimet e verës së shkuar na treguan se çka do të thotë ndryshim klimatik, kjo do të thotë se patëm vërshime të mëdha, kohë të keqe, me shi e gjëra, këto që i pamë të gjithë dhe ndikojnë në infrastrukturën, e cila nuk mund të durojë të gjitha këto. Ndryshimet klimatike nuk janë vetëm takimet që mbahen në Samitin e Parisit, por duhet të punohet në nivel lokal, që të përmirësohen kushtet dhe të mësohemi të përballemi me këto ndryshime klimatike që ndodhin”,- theksoi ambasadori i ShBA-së në RM, Xhes Bejli.
Përndryshe, në Komunën e Tearcës ka edhe shtretër të lumenjve tjerë që presin të riparohen pasi shumica e tyre janë dëmtuar gjatë vërshimeve të tre gushtit.
VISAR SADIKI
