Botë
LSI përjashton deputetin Përparim Spahiu nga partia
27.06.2016 16:15
Lëvizja Socialiste për Integrim tregoi se di të jetë e ashpër me secilin prej deputetëve që guxon të dalë jashtë linjës së saj...

Ajo ka vendosur të përjashtojë deputetin e Dibrës, Përparim Spahiun, pasi ky i fundit deklaroi se është kundër monitorimit të reformës në drejtësi nga ndërkombëtarët, duke e cilësuar si një cenim të sovranitetit.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar të LSI-së, kreu Petrit Vasili tha se Spahiu u nxitua, duke dalë kundër partisë.
Por, duket se deputeti Spahiu nuk e ka pritur keq përjashtimin. Ai deklaroi se pavarësisht vendimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, vota e tij shkon për këtë parti.
Dy ditë më parë, Përparim Spahiu bëri këtë deklaratë në Twitter: “E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO-n, me Komisionin Europian dhe shpresoj edhe me Bashkimin Europian. Por, nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta?!”,- shkroi dy ditë më parë Spahiu në Twitter.
Por, me sa duket kjo deklaratë s’ka shërbyer për asgjë tjetër, përveçse për ndëshkimin e tij politik.
LULJETA NDOKA
