Maqedoni
Kumanovë, dy padi penale për kryerësin e sulmit ndaj anëtarëve të familjes Aliu
27.06.2016 16:21
Incidenti barbarë i së shtunës në mbrëmje, kur në afërsi të Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë, pas një zënke verbale, personi B. I. nga fshati Bilanoc...

Incidenti barbarë i së shtunës në mbrëmje, kur në afërsi të Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë, pas një zënke verbale, personi B. I. nga fshati Bilanoc, me veturën e tij të tipit Mercedes, me shpejtësi të madhe ka goditur familjen treanëtarëshe të Sedat Aliut, me ç’rast më së keqi ka pësuar fëmija i tij katërvjeçar dhe bashkëshortja, kjo gjë ka shkaktuar reagime të shumta.
Rasti në fjalë sot urgjentisht ka mbledhur Këshillin Lokal për Preventivë të Komunës së Kumanovës.
Në të energjikisht është dënuar rasti çnjerëzor i B. I.. Ndërkaq, zëvendëskryeshefi i SPB-Kumanovë, Sevdail Xhaferi, njoftoi se rasti është zbardhur tërësisht dhe se kryerësi i veprës do të paditet për dy vepra penale.
“Rasti si rast është i ndriçuar tërësisht, janë shtruar dy kallëzime penale, njëra për dhunë dhe tjetra për tentim vrasje. Janë ndërmarrë të gjitha masat. Të dyja kallëzimet janë dërguar në Prokurorinë Themelore Publike. Ndaj njërit person është ndërmarrë masa e paraburgimit. Nuk ka dyshim se rasti është ndriçuar tërësisht në mënyrë profesionale dhe ligjore”,- tha zëvendëskryeshefi i SPB-Kumanovë, Sevdail Xhaferi.
Deputeti i zonës, Rexhail Ismaili, tha se jemi të tmerruar nga një rast këtillë i egër primitiv që s’mban mend Kumanova, duke kërkuar dënimin meritor për kryerësin e veprës.
Ndërkohë që kreu i Kumanovës, Zoran Damjanovski, duke e gjykuar rastin, njëkohësisht edhe apelon për ruajtjen e gjakftohtësisë dhe ndërmarrjen e masave preventive për parandalimin e rasteve të ngjashme.
“Shpresoj që ky incident i padëshiruar i së shtunës të mbetet në harresë dhe të zgjidhet përmes rrugës gjyqësore, siç i përket një shteti juridik, me qasje të njëjta juridike ndaj rasteve të ngjashme. Ndërkaq, në periudhën e ardhshme të veprojmë në mënyrë preventive dhe të intervenohet me kohë për parandalimin e rasteve të ngjashme”,- tha kreu i Kumanovës, Zoran Damjanovski.
Ndryshe, nëna dhe fëmija gjenden në Spitalin shtetëror në Shkup ku po u ofrohet trajtimi i domosdoshëm mjekësor.
NEXHAT AQIFI
