Maqedoni
Vmro dhe LSDM, mendime të ndara për dhoma speciale gjyqësore
27.06.2016 17:02
Pa vendime konkrete përfundoi rundi i ri i bisedimeve në rezidencën e BE-së në Përzhinë...

Përfaqësues të katër partive politike sërish u mblodhën për të diskutuar mbi listën e kontestueshme zgjedhore dhe mediat.
Sipas informacioneve jozyrtare, akoma nuk ka lëvizje në arritjen e kompromisit për këto dy çështje.
Përpos partive politike, në takim ka marrë pjesë vetëm ambasadori i BE-së, Aivo Orav, por jo edhe kolegu i tij amerikan, Xhes Bejli.
Në vend të Bejlit, përfaqësues nga ambasada kanë ndjekur bisedimet. Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, vetëm ka konfirmuar se bisedimet po vazhdojnë, por pa dhënë komente se a do të arrihet ndonjë marrëveshje konkrete.
Një çështje që i ndan VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në është edhe ideja e BDI-së për dhoma speciale në kuadër të Gjykatës Penale për gjykimin e rasteve të mundshme nga Prokuroria Speciale.
“Me padurim e pres ditën kur opozita do të kërkojë edhe qytetarë specialë në Maqedoni, të cilët enkas për ta do të votonin, për ta do të punonin dhe ata do t’i përkrahnin. Tashmë është e qartë se në këtë shtet dikush po krijon përshtypje se qytetarë specialë duhet të importohen me qëllim që LSDM-në dikush ta sjellë me dhunë në pushtet”,- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
“Ne vlerësojmë se gjithçka do të jetë në interes që gjyqësia të funksionojë në mënyrë të pavarur. Mendoj se kjo duhet të ndodh, qëndrimi ynë është po, duhet të formohet departament i posaçëm që do të merret me lëndët e Prokurorisë Speciale. Për shkak se Gjykata Kushtetuese nuk dëshiron që të shprehet për PSP-në, ne nuk marrim pjesë në seancat e kuvendit”,- theksoi Goran Sugarevski nga LSDM.
Nga BDI, duke mbështetur themelimin e dhomave të veçanta në Gjykatën Penale, paralajmërojnë edhe mundësinë për shqyrtimin e mundësisë për formimin e një gjykata speciale të ngjashme me atë të Kosovës. Nga PDSh thonë se në këtë kontekst janë në vijë të njëjtë me ndërkombëtarët.
MERAL ISMAILI
