ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

Ivanov u promovua në Manastir

28.03.2014 19:56

Qytetarët e Maqedonisë, vet do të vendosin për çështjet kryesore kombëtare, tha kandidati për kryetar nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për një Maqedoni më të mirë, Gjorgje Ivanov, në tubimin e mbrëmshëm në Manastir..........

Qytetarët e Maqedonisë, vet do të vendosin për çështjet kryesore kombëtare, tha kandidati për kryetar nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për një Maqedoni më të mirë, Gjorgje Ivanov, në tubimin e mbrëmshëm në Manastir.

Ivanov nga qytetarët kërkoi përkrahjen për edhe një mandat dhe vlerësoi se udhëheq politikë të jashtme të bazuar në principe, çiltërsi, dialog dhe bashkëpunim. Dallimet sipas tij, tejkalohen vetëm përmes dialogut dhe respektit. Kërkesa ime deri te të gjithë qytetarët, është që dallimet të mos paraqesin problem për bashkëpunim. Mirëkuptimi i ndërsjellë do të na ndihmojë që më shpejt t’i kalojmë sfidat që i kemi si shtet. Kryetari zgjidhet që t’i shërbejë popullit, tha Ivanov, duke potencuar se nuk është politikan që me popullin takohet vetëm në periudhën e zgjedhjeve, përkundrazi, Manastirin e ka vizituar sa herë që ka qenë e nevojshme. Pesë vite më parë potencova tre parime në të cilat bazohem, e ato janë: të jem i ndershëm,i sinqertë dhe punëtor.

“Pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar në çështjet për dallimet rreth emrit, e cila na ka mbetur në trashëgimi. Qëndrimi im është i qartë, për të cilin kam përkrahje edhe prej ju qytetarëve, se nuk kam pranuar dhe nuk do të pranoj ndryshim të kushtetutës, me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues, identitetit nacional, gjuhës maqedonase dhe modelit maqedonas për bashkëjetesë. Qytetarët maqedonas janë ata  të cilët vendosin. Maqedonia është një fqinje e mirë, ndërkohë që Manastiri paraqet shembullin më të mirë për këtë. Ndonjëherë mes fqinjëve paraqiten dallime të cilat tejkalohen vetëm përmes dialogut dhe respektit. Kërkesa ime është që dallimet të mos jenë pengesë për bashkëpunim, sepse qytetarët janë ata të cilët kanë më së tepërmi nevojë për bashkëpunime. Jam këtu para jush që t’ju them se gjatë mandatit tim kemi realizuar me sukses reforma në çdo sferë, kemi krijuar ambient dhe kushte të nevojshme për përkrahjen e institucioneve, shoqërisë dhe ekonomisë dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Unë edhe më tej do të vazhdoj t’i përkrah të gjitha nismat, projektet për bashkëpunim, ndërkohë që në nivel më të lartë, në agjendën time, e kam ranguar ekonominë diplomatike. Me këtë rast, do të vazhdoj në kontinuitet të punoj për tërheqjen e investimeve të huaja. Ekonomia po shënon rritje, janë krijuar tregje të reja, kemi siguruar punësime të reja dhe kredi të reja për autostrada. Kemi paguar gjysmë miliard euro për subvencionet në bujqësi dhe me rendësi është se kemi hapur mbi 120 mijë vende të reja të punës. Poashtu mund t’ju them se kemi sjellë mbi 2 miliard euro investime të huaja në Maqedoni dhe kjo është rezultat i një pune të mundimshme në kontinuitet dhe përkushtimit që kemi ndaj vendit tonë. Suksesi i politikës edhe në vendet e zhvilluara nuk matet me fjalë të mira apo projekte të paralajmëruara, përkundrazi, matet me numrin e vendeve të hapura të punës. Rezultatet e deritanishme janë mëse evidente. Të gjitha këto vende të reja të punës, mundësojnë që ekonomia maqedonase të përparojë me forcat vetanake. Investitorët e huaj kanë fituar besim të tërësishëm në shtetin tonë. Sot ata janë promotorët tanë në botë dhe promotorë të biznesit. Si kryetar, ju premtoj se do të punoj edhe në hapjen e mundësive të reja për ekonominë maqedonase, tregje të reja për pasimin e prodhimeve tona dhe krijimin e partneriteteve të reja për bizneset maqedonase. Do të vazhdojmë në kontinuitet t’i përkrahim reformat për përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së arsimit. Këtë vit kam dhënë shpërblim për shkencëtarë të ri të suksesshëm, me qëllim që te shumë shkencëtarë të rinj, të zhvillojmë inovacionin dhe t’i motivojmë të tregojnë suksese. Dëshirojmë që Maqedonia të zhvillohet në vend për inovacione të reja dhe teknologji, të cilat do të jenë nxitje më shumë për ekonominë tonë. Maqedonia nuk është shtet vetëm i qytetarëve që jetojnë në të, por është shtet amë edhe i diasporës. Si kryetar kam filluar nisma dhe aktivitete të cilat do të kontribuojnë drejtpërdrejtë në përforcimin e lidhjeve me gjeneratat e shpërngulura nga vendi ynë. Jam i sigurt se diaspora maqedonase po investon në ekonominë dhe politikën në vendin tonë. Me të drejtën e votës, diaspora është inkuadruar në jetën demokratike në Maqedoni. Ne e dimë ku shkojmë dhe çfarë duam. Ju ftoj të gjithë ju, përfaqësues të shoqërisë civile, kulturës, sportit, me energji të përbashkët të realizojmë qëllimet tona programore, të cilat bashkojnë shoqërinë maqedonase. Evropa në Maqedoni dhe Maqedonia në Evropë, Maqedonia është vend në të cilin ndërtohet mirëqenie për të gjithë, sepse ne dimë se si realizohet një gjë e tillë. Për ne zgjedhja ka qenë dhe do të jetë Maqedonia, për ne shteti është i vlefshëm. Tani jam në Manastir tu them se nuk kam ndryshuar, përkundrazi, kam fituar besimin tuaj në bazë të programit që kam ofruar dhe mund të them me bindje të plotë se këtë program e kam realizuar tërësisht. Para jush vijmë me premtime se edhe 5 vitet e ardhshme nëse me jepet besimi juaj, do të punoj me përkushtim për të arritur suksese në çdo aspekt për Maqedoninë dhe banorët që jetojnë këtu”, u shpreh kandidati për kryetar nga VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov.

Nga bashkëpunimi i suksesshëm me Maqedoninë, kishim rezultate konkrete. Siguruam liberalizimin e vizave, që ju mundeni lirshëm të udhëtoni në Evropë, morëm pesë raporte pozitive dhe pesë rekomandime për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Ivanov më tej shtoi se gasifikimi i Maqedonisë është projekt i cili vazhdon në kontinuitet. Kahja magjistrale nga Negotina, do të kalojë përmes Prilepit deri në Manastir, me gjatësi prej 91 kilometra. Përmes gasifikimit do të sigurohet energji më e lirë dhe mundësi më të mëdha për zhvillimin e ekonomisë maqedonase dhe prodhimtarisë. Amvisëritë do të kursejnë energji, kështu që do të sigurohet rritje edhe më e madhe ekonomike. Kemi hapur edhe zyrë në Manastir, përmes së cilës ishim në kontakt me tërë Pellagonine. Kryeministri dhe ministrat janë njerëz të cilët në vazhdimësi janë me qytetarët. Kështu punohet. Kështu arrihen suksese. Përmes kontakteve që i realizojmë me qytetarët, i dimë nevojat e tyre, kemi evidentuar problemet dhe dimë mënyrën se si ato zgjidhen. Nuk ka fshat dhe qytet të cilin nuk e kanë vizituar kryeministri, ministrat dhe deputetët. Kemi kontribuar në ndërtimin e ambulancave, barnatoreve, shkollave, ujësjellësve dhe sallave sportive. Pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për qytet ose fshat, për manifestim kulturor, unë çdoherë kam qenë së bashku me qytetarët .Të jesh i pranueshëm për popullin, për mua është nder dhe privilegj. Maqedonia është shtet bujqësor. Shteti me të vërtetë e vlerëson mundin e bujqve. Duke filluar nga viti 2006, deri më tani janë paguar 550 milion euro subvencione për bujqit. Këtë vit janë paguar 70 milion euro subvencione për blegtorët, kultivuesit e pemëve të rrushit dhe parashihet që deri në fund të vitit, të paguhen edhe 140 milion euro.

Fjalim para manastirasve kishte edhe përfaqësuesi i VMRO–DPMNE-së, Antonio Milloshovski, i cili tha se Ivanov pas pesë vitesh, nuk është vetëm profesor i preferuar dhe i dashur, por është kryetar i preferuar i të gjithë qytetarëve të vendit. Për pesë vite, Ivanov dëshmoi se mund të mbahet njerëzia dhe morali në politikë. Ai asnjëherë gjatë mandatit të tij nuk ka harruar se kush i ka dhënë përkrahje. Ai ka qenë në vizitë zyrtare të Berlinit, por asnjëherë nuk ka harruar të vizitojë edhe komunën e Mogillës. Ai ka vizituar Brukselin, Vjenën, SHBA-të, por asnjëherë nuk ka harruar të vizitojë Demir Kapinë dhe Smiolevën. Ai është njëri që ka arsyetuar plotësisht mandatin e tij. Gjatë zjarreve që u shfaqën në gusht të vitit 2011, Ivanov ishte ai që urdhëroi ARM-në për shuarjen e zjarreve dhe ishte i pari që vizitoi këtë rajon. Nga ana tjetër, kemi një kundërkandidat, i cili është mentor politik i të cilit është Branko Cërvenkovski. Kemi dëgjuar se shpeshherë ai në fjalimet e tij dëshiron të nënvlerësojë kryetarin Ivanov, por nëse ai vlerëson se ashtu duhet, le të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë. Ne mund të themi lirisht se Ivanov nuk ka nënçmuar apo ofenduar deri më tani askënd, por me dinjitet ka kryer funksionin e tij. Oponentët tanë politik, e akuzojnë Ivanovin që gjatë mandatit të tij nuk ka kundërshtuar asnjë ligj që ka miratuar qeveria. LSDM shpreson se kandidati i tyre do të arrijë të ketë konflikte politike, krizë institucionale dhe kryetari dhe qeveria të mos kenë fare bashkëpunim. Këto veprime të tyre janë luftë për përfitimin e fuqisë politike dhe janë në dëm të interesave të Maqedonisë. Sipas Pendarovskit, Ivanov nuk është dashur të ndërtojë spitale, të rrisë rrogat dhe pensionet. Por ne e themi dhe e dëshmojmë të kundërtën, se bashkëpunimi mes kryetarit Ivanov dhe kryeministrit Gruevski, nuk është hendikep për Maqedoninë, por është për të mirën e shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë. Ivanov gjatë mandatit të kaluar ka takuar kryetar, kryeministra, ministra dhe persona të tjerë me ndikim, nga të cilët varet ardhmëria e Maqedonisë, përkatësisht të cilët në njëfarë forme mund të ndihmojnë në ndonjë proces të rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë. Populli e njeh presidentin Gjorge Ivanov, e din se sa ai vlen dhe ka dhënë llogari për atë se çka është punuar, si shprehje më e madhe e respektit ndaj qytetarëve. Transparencë e qartë dhe me përgjegjësi.

Sipas Milloshovskit, kundërkandidati i tij nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski, ka deklaruar vet se do ta zgjidhë kontestin me emrin me dyer të mbyllura dhe se është dashur të ofrojmë vazhdimisht zgjidhje për emrin edhe atë publikisht, ashtu siç e bënte mentori i tij politik, Branko Cërvenkovski. Një president i tillë, sipas tij, nuk i duhet Maqedonisë. Ndërsa Gjorge Ivanov ishte dhe do të mbetet promotor i vlerave që i ndajmë dhe do të punojë sipas parimeve të konfirmuara, të cilat tanimë kishim mundësi t’i shohim në skenë të hapur në këto pesë vite. Vendit nuk i duhet intrigant i ri për president, i cili do të bëjë ngatërresa dhe do të punojë pas shpinës së qytetarëve...Për mbrojtjen e interesave vitale shtetërore, për avancimin e mirëqenies dhe jetës së të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë, do të angazhohet Gjorge Ivanov, i cili ka dëshmuar përkushtimin e tij maksimal ndaj Maqedonisë. (Flutura Latifi, TVM2)