Maqedoni
Katërvjeçari nga Kumanova po lufton me jetën në spitalin e Shkupit
27.06.2016 17:14
Vogëlushi katërvjeçar i familjes Aliu, i cili u shkel me veturë në një zënkë në oborrin e spitalit të Kumanovës, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe të luftojë me jetën...

Mjekët për TVM-2 nuk deshën të flasin para kamerës, por dhanë informacione se dy ditë pas pranimit të tij në Klinikën e Kirurgjisë në Shkup atij nuk i është përmirësuar fare gjendja shëndetësore.
Ndërkohë, familjarët e tij thanë se nga goditja e fortë e makinës së sulmuesit, fëmija ka marrë lëndime të rënda në kraharor, ka brinjë të thyer dhe ka probleme të theksuara me funksionimin e veshkave. Babai i tij është akoma në shok dhe e ka vështirë të pranojë rastin që i ndodhi familjes së tij.
“Gjendja e fëmijës për momentin është kritike, fati i fëmijës akoma nuk dihet a do të mbijetojë apo jo. Ka pasur njerëz duke pritur radhë, ndërkohë ka ardhur një grua e moshuar me vajzën e vet. Ajo na pyeti a mundemi të hyjmë. Ne i liruar të hyjnë. Pastaj ky maqedonasi m’u drejtua mua pse ti e lëshon pa radhë, unë i kam thënë edhe unë jam duke pritur me fëmijën tim radhë, por gjendja e saj është më e vështirë. Edhe ka filluar pastaj me sharje maqedonasi. Veç sa kemi dalë, na sulmoi me makinë direkt, na ka mbështetur për muri, mua shoqen edhe fëmijën, fati i të cilit nuk dihet”,- deklaroi kryefamiljari, Sedat Aliu.
Incidenti në fjalë ndodhi të shtunën në oborrin e spitalit të Kumanovës, ku sulmuesit sulmuan familjen Aliu dhe goditën me veturë djalin katërvjeçar.
REXHEP QAMILI
