Maqedoni
UShT, rikthehen fakultetet e mbyllura
27.06.2016 17:38
Qeveria e ka anuluar vendimin për mbylljen e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të UT-së dhe transferimin e tij për në Universitetin e ri “Nënë Tereza” në Shkup...

Me këtë vendim, Fakulteti i Shkencave të Zbatuara i kthehet UT-së me të 7-ta drejtimet që gravitojnë në kuadër të tij: mekatronika, inxhinieria ekonomike, arkitektura, gjeodezia, komunikacioni dhe inxhinieria e ndërtimit. Vendimi i Qeverisë për rikthimin e disa fakulteteve në Universitetin e Tetovës nga Partia Demokratike Shqiptare cilësohet si marrëveshje mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, për shkak të interesave të tyre të ngushta korruptive, duke dëmtuar kështu interesin e shqiptarëve.
“Vënia në rend dite themelimin e Universitetit “Damjan Gruev” dhe Universitetin e Tetovës është edhe një hipokrizi e radhës e BDI-së, e cila e merr guximin të tallet me vlera aq të mëdha siç është universiteti. Ta përkujtojmë opinionin se para do kohe BDI me ligj suspendoi disa fakultete dhe tetë njësi programore nga ky universitet, të cilat shqiptarët dhe PDSh-ja me aq mund arritën ta legalizojnë. Kjo do të thotë se BDI ndjek logjikën se një të tretës së shqiptarëve, siç është tash Universiteti i Tetovës ta suspendojnë dhe pas një periudhe siç jemi sot ta rikthejmë, duke thënë se gjoja po bëjnë diçka”,- deklaroi Merale Ferati nga PDSh.
Ndërkohë, edhe LSDM është kundër Ligjit të ri për themelimin e Universitetit “Damjan Gruev”. Socialdemokratët konsiderojnë se me tërheqjen dhe lëshimin e sërishëm të Ligjit të ri për formim të Universitetit "Damjan Gruev", i cili përfshin formim të tre fakulteteve më shumë sesa që parashikonte ligji paraprak, VMRO-DPMNE-ja ka pranuar se interpelanca për kryetaren e Komisionit për arsim, Ollga Najdenovska, është e bazuar dhe se punon ilegalisht.
"Miratimi i këtillë klasik kontrabandist të një ligji për formim të universitetit me procedurë të shkurtuar është edhe një konfirmim i madh se për VMRO-DPMNE-në është më e rëndësishme t'i akomodojë ushtarët e saj partiak, ndërsa aspak nuk e ka të rëndësishme arsimin në Republikën e Maqedonisë",- tha Goran Sugarevski nga LSDM.
Sugarevski shtoi më tej se kjo punë e paligjshme e VMRO-¬DPMNE-së ka shpenzuar shumë të holla të qytetarëve për seanca joefikase të Komisionit për arsim. Vendimi me procedurë të shkurtuar pritet të miratohet brenda dy ditësh edhe nga ana e Kuvendit.
SANIJE DURAKU
