Maqedoni

Keqtrajtimi i të burgosurve, prokuroria pa përgjigje

27.06.2016 17:40

Ende nuk ka asnjë shpjegim në lidhje me keqtrajtimin e të burgosurve të rastit të Kumanovës...

dhe pse nga Avokati i Popullit janë ngritur dy procedura, nga zyra e këtij institucioni theksojnë se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ana e Prokurorisë Publike. 
 
“Avokati i Popullit, si mbrojtës i të drejtave të qytetarëve, është duke ndjekur procedurën për rastin e Kumanovës për personat që janë në paraburgim, kemi ngritur dy procedura në Prokurorinë Publike, por deri më tani nuk kemi asnjë përgjigje nga ana e Prokurorisë”,- deklaroi zëvendësavokatja e popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa.
 
Zëvendësavokatja e popullit, Bajramovska,  prezantoi  edhe raportin vjetor, në të cilin kanë konstatuar se gjendja nëpër burgjet e vendit, në vend se të përmirësohet, ka shkuar drejt përkeqësimit. 
 
“Kushte të rënda nga aspekti i strehimit kemi hasur në burgun në Shkup jashtë standardit për hapësirë minimale të siguruar për një person. Kushte të këqija higjienike kemi konstatuar edhe në burgun e Idrizovës, ku të burgosurit e sëmurë qëndrojnë në kushte johumane, nuk e shfrytëzojnë të drejtën për të dale jashtë, ndërsa ende transporti i tyre bëhet me anë të një automjeti jo të sigurt, që paraqet rrezik për shëndetin e tyre. Në asgjë nuk është më e mirë, as gjendja në burgun e Tetovës, ku dënimi me burg mbahet në kushte joadekuate”,- tha Mustafa.
 
Nga zyra e Avokatit të Popullit apeluan që detyrimet për trajtim human me të cenuarit nga liria duhet të tregohen edhe në praktikë, pasi që në të kundërtën do të mbeten vetëm deklarative dhe nuk do të jenë efikase për t’u minimizuar kushtet negative nëpër vendet e privimit të lirisë. 
 
ERSAN PAJAZITI