Maqedoni

VMRO akuza PSP-së dhe Speciales

27.06.2016 17:43

VMRO-DPMNE ka vazhduar me akuzat ndaj Prokurorisë Speciale dhe LSDM-së për, siç thuhet, përndjekje politike të kryetarit të Manastirit, Vlladimir Talevski...

Madje, sipas partisë maqedonase në pushtet, Prokuroria Speciale po e toleron komunën e Strumicës, edhe pse banorët e Strumicës paguajnë dy herë më shumë për transport se sa banorët e Manastirit.  
 
“Me logjikën e Fatime Fetait, Komuna e Strumicës ka transport dy fish më të shtrenjtë se Tokio. Secili e ka të qartë se Vlladimir Talevski është viktimë e përndjekjes politike të LSDM-së dhe Prokurorisë Speciale. Tolerimi nga Prokuroria Speciale e dyshimeve të bazuara për kriminalitet të rëndë në Komunën e Strumicës, të udhëhequr nga Zoran Zaev, e rrënon objektivitetin e Prokurorisë Speciale”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vasil Pishev.
 
Po ashtu, gjithnjë sipas VMRO-së, kompani të funksionarëve të LSDM-së marrin tenderë milionëshe nga Komuna e Strumicës.
 
Po ashtu VMRO në mbështetje të Talevskit ka organizuar edhe një protestë para Gjykatës së Apelit në Manastir, duke kërkuar nga gjykatësit të kenë kujdes se çfarë vendimesh sjellin.
 
GYLTEN SINANI