Botë

Erdogan i kërkon falje Rusisë për rrëzimin e avionit

27.06.2016 19:37

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka shkruar një letër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin...

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka shkruar një letër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ku kërkon falje për rrëzimin e aeroplanit luftarak rus nga Ushtria e Turqisë, vitin e kaluar, kanë thënë sot zyrtarë në Moskë dhe Ankara.
 
“Shefi i shtetit turk ka shprehur keqardhje dhe ngushëllime të thella për familjen e pilotit të vrarë dhe ka kërkuar falje”,- u tha reporterëve në Moskë zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov.
 
Peskov, më tutje, theksoi se Erdogan, po ashtu, ka shprehur përkushtim të bëjë “çdo gjë të mundshme për ripërtëritjen e raporteve miqësore tradicionale ndërmjet Turqisë dhe Rusisë”. 
 
Edhe në Ankara, një zëdhënës i presidentit turk e ka konfirmuar kërkimfaljen, duke njoftuar se Erdogan në letrën dërguar Putinit është shprehur se shpreson se familja e pilotit të aeroplanit të rrëzuar do “të na e falë ne”.
 
Pas rrëzimit të aeroplanit luftarak rus afër kufirit siriano-turk, në nëntor të vitit 2015, Rusia pati imponuar kufizime tregtare kundër Turqisë, duke i ndalur aranzhmanet turistike në Turqi.
 
Putin pati deklaruar se kufizimet nuk do të tërhiqen derisa Erdogani të kërkojë falje lidhur me këtë incident.