Pendarovski u prezantua në Gostivar
Kandidati për president nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski, para qytetarëve të Gostivarit, ka pranuar të dalë në një duel televiziv me kundërkandidatin e tij nga VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov..........

Kandidati për president nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski, para qytetarëve të Gostivarit, ka pranuar të dalë në një duel televiziv me kundërkandidatin e tij nga VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov.
Por Pendarovski edhe në këtë miting ka vlerësuar se ai nuk duhet të merret me Ivanovin, sepse sipas tij, është e qartë se fushatën zgjedhore të kandidatit për president të VMRO-DPMNE-së, e udhëheq kryeministri Nikolla Gruevski.
Pikërisht është kryeministri i cili e ndan popullin dhe atë nuk mund ta rregullon pas 8 viteve në qeveri, theksoi Pendarovski. Duke rikujtuar se atij po ia udhëheq kampanjën kryeministri, ai gjithashtu thotë se nëse Ivanov nuk guxon të dalë në duel televiziv, atëherë në vend të tij le të dalë Gruevski. Me rëndësi është që qytetarët të shohin publikisht në duel televiziv se çfarë po ndodhë dhe të vlerësojnë kush është më i miri, ka thënë kandidati presidencial i LSDM-së. Stevo Pendarovski.
"Ne jemi katastrofë në ekonomi, ne jemi katastrofë në demografi, ne gjithashtu jemi katastrofë në fushën e të drejtave të njeriut. Nëse ne të nesërmen hyjmë në Bashkimin Evropian dhe NATO, po edhe nëse do e zgjidhim problemin me emrin, ne edhe më tej do të mbetemi me problemet të cilat na hajnë nga brenda. Kjo do të thotë administratë e cila nuk është në shërbim të qytetarëve, por që është e partizuar. Presidenti që do të zgjidhet, duhet të jetë aktiv, e jo që të flejë gjatë mandatit të tij, duhet t’i shërbejë popullit, e jo ta fundosë atë”, - deklaroi kandidati presidencial i LSDM-së, Stevo Pendarovski.
Ai gjithashtu ka kritikuar qeverisjen aktuale, se ka kontribuar për rritjen e numrit të personave të shpërngulur nga Maqedonia. Ai gjatë takimeve me qytetarët, ka thënë se pushteti duhet t’i shërbejë popullit dhe jo populli t’i shërbejë kryeministrit dhe familjes së tij.
Ai më herët pati edhe takime me qytetarë të qendrës së Zhupës, Broshticës, si dhe Rostushës, si dhe vende të tjera në rajonin dibran. Maqedonia ose do të jetë e të gjithëve, ose nuk do të ketë fat për asnjërin dhe këtë e dëshmon qyteti i Dibrës, ku mbretëron bashkëjetesa mes të gjitha etniteteve, pa dallim feje apo nacionaliteti, tha në takimin në Dibër kandidati për kryetar, Stevo Pendarovski, nga radhët e LSDM-së.
Sipas Pendarovskit, Dibra është një ndër qytetet ku ka shumë të papunë dhe si pasojë e asaj ka edhe migrim masiv, sidomos gjatë këtyre pesë viteve të fundit. Maqedonisë i duhet një kryetar që do të nxjerrë vendin.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje që qytetarët e Maqedonisë duhet të dalin të votojnë, sepse tani më është koha për ndryshim për një erë të freskët në politikë dhe kjo mundësi u është dhënë më 13 prill. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
