Maqedoni

Ministri Lutfiu në Sarajevë, ministrat e rajonit diskutojnë për cilësinë e arsimit

28.06.2016 13:12

Ministri i Arsimit dhe Shkences Pishtar Lutfiu, mori pjesë në Konferencën e 5-të ministrore për Platformën e Ballkanit Perendimor...

Ministri i Arsimit dhe Shkences Pishtar Lutfiu, mori pjesë në Konferencën e 5-të ministrore për Platformën e Ballkanit Perendimor për arsim dhe trajnim të zhvillimit profesional të personelit arsimor në institucionet arsimore, që mbahet në Sarajevë, Republika e Bosnjës dhe Hercegovinës.
 
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Lutfiu, u paraqit edhe me kumtesë të veçantë kushtuar aktiviteteve që po ndërmerr Republika e Maqedonisë në drejtim të rritjes së kualitetit në sferën e arsimit në përgjithësi, duke u përqëndruar në veçanti në sferën e trajnimit për zhvillimin kapaciteteveprofesionale të stafit të mësimdhënësve në shkollat fillore dhe ato të mesme, njoftojnë nga Ministria. 
 
Lutfiu potencoi se, Republika e Maqedonisë, sidomos viteve të fundit, me një seriozitet dhe përgjegjësi të theksuar, arsimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja e konsideron si një ndër prioritetet e politikave zhvillimore të vendit, kurse rritjen e cilësisë në arsim si nevojë imanente dhe urgjente.
 
Ai u shpreh se, duke pasur parasysh synimin e tillë, Republika e Maqedonisë po ndërton edhe mekanizma institucional për sigurimin e qëndrueshmërisë së këtyre iniciativave që janë produkt i kërkesave të kohës.
 
Një hap i tillë në këtë drejtim, theksoi ai, është edhe vënia në jetë e Akademisë për mësimdhënës, institucion shtetëror i cili në vete do të ngërthejë aktivitete në drejtim të aftësimit profesional të mësimdhënësve të ardhshëm dhe atyre aktual, si dhe trajnimin permanent të tyre në drejtim të aftësimit për t’i bërë ballë transformimeve bashkëkohore në sferën e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
 
Ministri Lutfiu, para ministrave të arsimit dhe shkencës nga rajoni dhe ekspertëve ndërkombëtar të lëmisë së arsimit dhe aftësimit profesional, elaboroi në detaje qëllimet e formimit të Akademisë për mësimdhënës, për përfitimet që do sjellë funksionimi i këtij institucioni publik si dhe për mbështetjen financiare që shteti ia siguron jetësimit të misionit të këtij institucioni.