Maqedoni
Regjistrimet në shkollat e mesme, apele për regjistrim në drejtimet deficitare
28.06.2016 14:06
Këto dy ditë është afati i parë i regjistrimeve të nxënësve për vitin shkollor 2016/2017. Në Shkollën e Mesme të Kimisë “Marija Kiri Skllodovska” ka vend për 136 nxënës...

Kjo shkollë posedon laboratorë modern dhe ofron drejtime deficitare, si Optikë të Syve, Teknik i Proceseve Prodhuese, drejtim Labaratorik-Medicinal dhe Teknik i Kimisë Teknologjike, të cilat janë deficitare në tregun e punës.
Prandaj, drejtuesit e saj shpresojnë që nxënësit shqiptarë të marrin parasysh edhe përfitimet e punësimit pas përfundimit të saj.
“Janë drejtime deficitare dhe mendoj se mund të punësohen më lehtë, të gjejnë punë shumë më herët se sa bashkëmoshatarët e tyre, pasi që ta kryejnë shkollën e mesme. Si dhe edhe një mundësi tjetër për t’u regjistruar në fakultete është që tani po hapen këto drejtime në Shkup në gjuhën shqipe. Por, gjithashtu kisha bërë një apel te semimaturantët , ata të cilët kanë interesim, të vinë sa më shpejtë, meqë numri është duke u rritur, sepse nuk kemi shumë vende të lira”,- deklaroi zëvendësdrejtori i Sh. M. “Marija Kiri Skllodovska”, Vedat Mustafa.
“Gjithsej në shkollën tonë janë të paraparë të pranohen 136 nxënës, ku veç më një numër i madh i nxënësve kanë ardhur në shkollën tonë për t’u regjistruar. Në kuadër të interesimit të nxënësve jemi të detyruar të bëjmë kërkesë deri tek qyteti i Shkupit dhe Ministria, që të na lejohet për hapjen e një paralele në gjuhën shqipe, respektivisht pesë paralele, pasi që nxënësit kanë shprehur dëshirë që të mësojnë këtu në shkollën tonë”,- tha profesori, Blerim Nebiu.
Afati i dytë i regjistrimeve për vitin shkollor 2016/2017 është më 4 korrik dhe afati i tretë më 24 gusht.
REJHANE BUSHI-METAJ
