KE-MEDIAT

KE: Strategji për mbrojtjen e lirisë së mediave

28.03.2014 20:22

KE-ja paralajmëron se do ta shfrytëzojë tërë fuqinë që të arrihet progres, me paralajmërim se angazhimi do të jetë afatgjatë………….

Komisioni Evropian ka përgatitur një strategji për sigurimin e lirisë së mediave në vendet kandidate për anëtarësim nga Ballkani perëndimor dhe Turqia.  Kjo çështje do të jetë lëndë e vlerësimit të rregullt në raportet e progresit, madje  do të ngrihet në nivel të kushtit.

KE-ja paralajmëron se do ta shfrytëzojë tërë fuqinë që të arrihet progres, me paralajmërim se angazhimi do të jetë afatgjatë. Strategjia do  të ndihmohet në aspekt financiar dhe teknik, deri në vitin 2020, ndërsa fokusi do të jetë në tre qëllime-të krijohet klimë për lirinë e shprehjes, të përforcohen shoqatat e gazetarëve dhe të përmirësohet menaxhimi i brendshëm i mediave.

Si detyrë kryesore politike, do të detyrohen parlamentet nacionale ta marrin përgjegjësinë për lirinë e mediave. Mes tjerash, janë potencuar vërejtje serioze për gjendjen aktuale, pa u përmendur konkretisht asnjë vend, për shkak se ky fenomen me lirinë e mediave është rajonal.

Ndër vërejtjet e Brukselit potencohet  servisi publik, i cili duhet të sigurojë pluralizëm të vërtetë të qëndrimeve. Praktika e deritanishme e qeverive është se në mënyrë direkte i kontrollojnë në aspekt politik dhe financiar serviset publike dhe krejtësisht në kontradiktë me rregullativat evropiane, thuhet në strategjinë e KE-së për mediat. (Rexhep Qamili, TVM2)