Maqedoni
Incidenti në Kumanovë, katërvjeçari ende në gjendje shumë kritike
28.06.2016 15:38
Vazhdon të jetë në gjendje kritike katërvjeçari, i cili u shkel me veturë në oborrin e Spitalit të Kumanovës...

Ai për të tretën ditë me radhë lufton për jetë në Klinikën e Kirurgjisë në Shkup.
Mjekët e kësaj klinike informojnë për TVM-2 se gjendja e tij shëndetësore mbetet e pandryshuar për dallim nga dje dhe se ai vazhdon të luftojë me jetën dhe të jetë nën aparatet ndihmëse për frymëmarrje.
Nga Klinika e Kirurgjisë bëjnë me dije se është shumë e vështirë dhe është herët për t’u pritur çudira, duke pasur parasysh se nga goditja e fortë e makinës së sulmuesit vogëlushi ka marrë lëndime të rënda në kraharor, ka brinjë të thyer dhe probleme të theksuara me funksionimin e veshkave.
Incidenti në fjalë ndodhi të shtunën në oborrin e Spitalit të Kumanovës, kur tre persona sulmuan familjen Aliu dhe goditën me veturë djalin katërvjeçar për shkakun banal, sepse babai i tij lëshoi radhën te mjeku për t’u pranuar një rast tjetër urgjent.
Në këtë incident gjithashtu u lënduan edhe prindërit e vogëlushit, por gjendja e tyre shëndetësore tani është stabile. Sulmuesi është në paraburgim me akuzën “tentim vrasje”.
REXHEP QAMILI
