Botë

PE rezolutë për Britaninë, të aktivizojë sa më parë nenin 50 të Lisbonës

28.06.2016 15:45

Parlamenti Europian miratoi me shumicë dërmuesve rezolutën që i kërkon Britanisë së Madhe që të thërrasë...

Parlamenti Europian miratoi me shumicë dërmuesve rezolutën që i kërkon Britanisë së Madhe që të thërrasë sa më shpejt aktivizimin e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, që do t’u hapte menjëherë rrugë procedurave për daljen e vendit nga Bashkimi Europian.
 
Rezoluta u miratua me 395 deputetë pro, 200 kundër dhe 71 abstenime. Sipas PE-së, aktivizimi i nenit 50 sa më shpejt do të shmangte pasiguritë që shoqërojnë këtë proces. Pjesëmarrja në seancë e kreut të Partisë së Pavarur Britanike, Nigel Farage, ka ndezur gjakrat. Ai u akuzua në një moment se po përdor “propagandë naziste”.
 
Junker e pyeti përfaqësuesin britanik se çfarë kërkonte në mbledhjen e PE-së tashmë që morën atë që deshën, pra votën për dalje nga BE. Ky i fundit duartrokiti në momentin kur Juncker tha se duhet të respektohet demokracia britanike dhe vendimi i referendumit. 
 
“Kjo është e fundit që ju duartrokisni këtu dhe në një farë mënyre unë jam shumë i befasuar që ndodheni këtu. Ju luftuat për daljen e Britanisë së madhe dhe populli votoi në favorin tuaj. Pse jeni këtu?”,- tha presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker.
 
Presidenti i Komisionit Europian kërkoi nga Britania e Madhe që të sqarojë sa më parë pozicionin e vet në lidhje me daljen nga Bashkimi Europian.
 
“Sa më shpejt që të sqarohet kjo situatë, aq më mirë është. Sigurisht që mua më vjen keq për votën e britanikëve. Jam një europian, s’jam robot, as burokrat i ngurtë dhe as teknokrat”,- theksoi presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker.
 
Juncker, ndërkohë, ua ka ndaluar secilit prej komisionerëve komunikimin meQqeverinë britanike përpara se ajo të zyrtarizojë qëllimet e tërheqjes nga Bashkimi Europian. 
 
Por, megjithëse në Bruksel sot ishte edhe kryeministri në dorëheqje i Britanisë, David Cameron, është pasuesi i tij ai që duhet t'i referohet metodës formale të shkëputjes apo artikullit 50 të Traktatit të Lisbonës. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI