Maqedoni
Gostivar, zënka banale përfundon me vdekjen e 24 vjeçarit
28.06.2016 16:31
24 vjeçari, Avni Abazi, nga Gostivari, mbrëmë ka vdekur pasi është qëlluar me një plumb në bark pas një zënke...

24 vjeçari, Avni Abazi, nga Gostivari, mbrëmë ka vdekur pasi është qëlluar me një plumb në bark pas një zënke me një person rreth, gjoja, një shkeljeje në komunikacion.
Sipas dëshmitarëve, ngjarja tragjike ka ndodhur në rrugën “Sedek Kostovski” në afërsi të ish Zhito Sharit, rreth orës 21:45 min.
Dyshohet se 24 vjeçari, Avni Abazi, pronar i një salloni për larje automjetesh në qytetin e Gostivarit, duke vozitur me automobil “Golf” është ndalur para automjetit të të dyshuarit për vrasjen dhe aty ka filluar zënka, për të pasuar me qitje nga arma e zjarrit.
Në zënkën janë shtënë më shumë plumba, ndërsa njëri ka përfunduar në barkun e Avniut.
Pas plagosjes, viktima është transferuar në spitalin e Gostivarit, ndërsa prej këtu, për shkak të seriozitetit të lëndimit, është transferuar në klinikë të Shkupit, ku ka ndërruar jetë.
Pas incidentit, në vendin e ngjarjes kanë dalë organet e hetuesisë, me ç’rast kanë kryer hetime deri në orët e vona të natës.
Në vendngjarje u gjetën gëzhoja plumbi dhe një shufër metalike që nuk dihet nëse i ka takuar ndonjërit nga dy personat e përfshirë në incident.
Nga Policia e Gostivarit konfirmuan informacionin se i dyshuari për vrasjen mbrëmë vetë është dorëzuar në stacion policor të Gostivarit, ku dhe është mbajtur.
LULZIM HAZIRI
