Maqedoni
Fakultet i shkencave të zbatuara në UT, themelohet Universiteti “Damjan Gruev”
28.06.2016 16:43
Kuvendi miratoi propozim ligjin për ndryshimin e Ligjit për themelimin e Universitetit të Tetovës...

Me ndryshimin e ligjit, në UT themelohet edhe Fakulteti i shkencave të zbatuara.
Kuvendi, gjithashtu, miratoi edhe Ligjin për themelimin e Universitetit për mbrojtje kombëtare, siguri dhe paqe "Damjan Gruev", në Shkup.
Sipas zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski, ideja për themelim të Universitetit është që të rritet cilësia e arsimit të lartë, para së gjithash në disa fusha me rëndësi të posaçme.
“Ideja bazë për themelimin e Universitetit për siguri kombëtare, mbrojtje dhe paqe, “Damjan Gruev”, në Shkup, është që të rritet cilësia në arsimin e lartë në RM dhe atë në disa fusha që janë me rëndësi të posaçme për cilësinë e zhvillimit të përgjithshëm të RM-së”,- deklaroi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski.
Mirëpo, deputetja e pavarur në opozitë, Sollza Gërceva, tha se ligji që kundërshtohej nga opozita futet me procedurë të shkurtuar kur opozita mungon.
Sipas saj, themelimi i këtij Universiteti është projekt politik dhe ka për qëllim që të zëvendësojë Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.
“Unë këtë projekt e shoh si projekt politik, i dëmshëm, i cili do ta godasë arsimin e lartë. D.m.th. ai ka për qëllim që të zëvendësojë Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”. Pavle Saviç, në një situatë të ngjashme thoshte: “Kjo nuk është asgjë tjetër përveçse hakmarrje e ish ngelaqëve””- tha deputetja e pavarur, Sollza Gërceva.
“Unë e kuptoj mosbesimin tuaj dhe ai është i natyrshëm, për shkak se ju ndodheni në anën tjetër, por duhet ta pranoni faktin se angazhimi i kësaj ane të sallës është prezent që të përmirësohet gjendja. A kemi të drejtë në çdo gjë, nuk e di, askush nuk mund të ketë të drejtë në çdo gjë, veç Zotit, por a ka nismë për të përmirësuar gjërat?! Po, ka!”,- tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Edhe PDSh është shprehur kundër Universitetit “Damjan Gruev”. Sipas deputetit, Orhan Ibrahimi, me themelimin e këtij Universiteti, mes tjerash, në vend të integrimit të brendshëm dhe bashkëjetesës bëhet segregacion.
“Me karakter monoetnik, karakter shoven, nacional. Në vend që të ndërtojmë një bashkëjetesë, këta po bëjnë një segregim në këtë shtet. Në vend të inkluzivitetit, këta na paraqiten ekskluziv. E keqja është dy herë për ne shqiptarët për arsye se këtyre doktrinave dhe kësaj shtypje, këtij diskriminimi i prin edhe vota e një partie politike, e cila thotë se është parti politike shqiptare”,- theksoi deputeti i PDSh-së, Orhan Ibrahimi.
Nisma e parë për themelimin e Universitetit “Damjan Gruev” u kundërshtua ashpër nga opozita maqedonase, e cila e bllokoi për disa muaj Komision parlamentar për arsim dhe kërkoi interpelancë për kryetaren e këtij Komisioni.
SHPËTIM NUREDINI
