Maqedoni
Aksion në Komunën e Strumicës, kontrollohen tenderët e transportit të nxënësve
28.06.2016 17:23
Policia financiare ka kryer inspekcion në Komunën e Strumicës me dyshimet se janë keqpërdorur para të komunës për transportin e nxënësve...

Policia ka kërkuar dokumentacionin e tenderëve për transportin e nxënësve në Strumicë.
Deputeti i VMRO–DPMNE-së, Vasil Pishev, ka akuzuar Komunën e Strumicës se ka paguar transport disa herë më të shtrenjtë për nxënësit, ndërkaq pjesa e atyre parave kanë përfunduar në duart e ndërmarrjeve të zyrtarit të LSDM–së, Lefter Andonov.
Pishev ka kërkuar që Prokuroria Themelore Publike të hetojë rastin, pasi bëhet fjalë për 1 milionë e 150 mijë euro.
“Pasi që Prokuroria Publike Speciale është e zënë me shpifjet politike dhe të pabaza në Manastir, unë ftoj Prokurorinë Themelore Publike që të hetojë çështjen e transportit në Strumicë, dhënien e parave të komunës, ndërmarrjeve të afërta me Zaevin dhe funksionarëve të LSDM-së. Kërkoj që të hapet procedurë dhe të ngrihet padi penale kundër Zaevit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përfshirje në punë të jashtëligjshme”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vasil Pishev.
Kanë reaguar nga Komuna e Strumicës, duke e cilësuar kontrollin si pjesë të përditshmërisë që i ndodh komunës, ndërkaq janë mbrojtur se punojnë në bazë të ligjit.
“Për nevojat e inspektimit të sotëm janë siguruar të gjitha dokumentet e duhura. Të gjitha kontrollet policore ndër vite kanë dëshmuar punën ligjore të komunës dhe kryetarit, me ç’rast është vërtetuar epiteti i komunës më transparente”,- thuhet në reagimin e Komunës së Strumicës.
Aksioni i policisë financiare pason publikimin e dokumenteve disa ditë nga deputeti Pishev, sipas të cilave Komuna e Strumicës paguan transport dy fish më të shtrenjtë krahasuar me Manastirin, ku Prokuroria Speciale hapi hetimet për keqpërdorime të transportit të fëmijëve.
MERAL ISMAILI
