Maqedoni
Analistët: të zgjidhet kriza politike, sepse ndërkombëtarët mund të heqin dorë
28.06.2016 18:07
Jozyrtarisht flitet se në gjysmën e parë të korrikut Maqedoninë do ta vizitojë ndihmëssekretarja e shtetit amerikan, Viktoria Nuland...

Jozyrtarisht flitet se në gjysmën e parë të korrikut Maqedoninë do ta vizitojë ndihmëssekretarja e shtetit amerikan, Viktoria Nuland, dhe deri atëherë katër partitë politike duhet të mundohen që të arrijnë zgjidhje për çështjet e hapura që dalin nga Marrëveshja e Përzhinës.
Sipas profesorit universitar, Qashif Bakiu, është fakt se presioni ndërkombëtar nga dita në ditë po shtohet dhe dy elemente ndikojnë në këtë: mospasja e vullnetit për arritjen e zgjidhjes që vërehet kryesisht tek VMRO-DPMNE-ja dhe mospasja e idesë për zgjidhje të kësaj krize që vërehet te partitë politike shqiptare.
Sipas tij, partitë duhet të punojnë në zgjidhjen e çështjes, sepse pas të gjitha ndodhive në BE, ndërkombëtarët mund t’i mërzisë stërzgjatja e krizës politike dhe të heqin dorë nga Maqedonia.
“Kjo mospasje ideje për zgjidhje ndoshta nuk mund të konsiderohet si mungesë diturie, por mund të konsiderohet edhe si mungesë vullneti apo si lloj neglizhence për të zgjatur afatet kohore të cilat kryesisht mund të ndikojnë në zgjatjen e kësaj date, me ç’rast partitë tentojnë të rimbursojnë momente apo elemente të humbura nga rejtingjet e tyre. Tash pas realitetit të ri në Bashkimin Evropian diplomacia evropiane shumë më pak ka për t’u marrë me Maqedoninë dhe elementi i vetëm, i cili ndoshta do të kishte ndikim, është ajo mërzitja nga stërzgjatja që bëhet në këtë proces të pamundshëm dhe e cila mund të shpijë në një moment që diplomatët e angazhuar të thonë: ej është mjaft më dhe këtu duhet të përfundohet”,- tha profesori iniversitar, Qashif Bakiu.
Ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që katër liderët politik, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, nën presion të ndihmëssekretares së shtetit amerikan, Viktoria Nuland, të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe të arrijnë kompromis për situatën politike në vend.
Pas Nulandit, në Maqedoni pritet të vijë edhe ndërmjetësi gjerman, Johanes Hajndëll.
SANIJE DURAKU
