QSHP

QSHP, shpall epidemi të fruthit në Shkup

28.03.2014 20:27

Pas shpalljes së epidemisë së fruthit apo e njohur si morbilet, epidemiologët vazhdojnë të bëjnë thirrje që të vaksinohen fëmijët e pa vaksinuar, por edhe të rriturit, sepse në të kundërtën, numri i të infektuarve do të rritet……

Pas shpalljes së epidemisë së fruthit apo e njohur si morbilet, epidemiologët vazhdojnë të bëjnë thirrje që të vaksinohen fëmijët e pa vaksinuar, por edhe të rriturit, sepse në të kundërtën, numri i të infektuarve do të rritet. Ata thonë se pasojat nga fruthi janë të mëdha dhe se kjo sëmundje mund të  shkaktojë komplikime të  rënda te fëmijët.

“Apelojmë deri tek prindërit të vaksinojnë fëmijët, sepse ky numër krijon mundësi për përhapjen e virusit. Ende nuk është shënuar ndonjë rast në kopsht dhe shkolla, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të përhapet”, u shpreh epidemiologia, Liljana Lazarevska.

Fruthi, ose e njohur edhe si e "keqja e vogël”, është sëmundje ngjitëse virale. Zakonisht atakon moshat fëmijërore, por mund të paraqitet edhe te të rriturit. Transmetohet nëpërmes pikëzave të lëngjeve qe rrjedhin nga hunda ose goja e një personi të infektuar, nëpërmjet teshtitjes apo kollitjes.

Simptomat zakonisht paraqiten 10-12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit. Ato përfshijnë temperaturë të lartë, simptoma që i ngjajnë ftohjes, sy te skuqur, ethe, ndjeshmëri ndaj dritës dhe shpërthim i kuq i imët në lëkurë në formë të pikave, që fillon nga fytyra dhe qafa dhe përhapet gradualisht në pjesën e poshtme, duke e mbuluar tërë trupin.

Poashtu epidemiologët apelojnë për vaksinim para shtatzënisë, pasi nëse merrni virusin gjatë shtatzënisë, ai transmetohet te fetusi dhe mund të shkaktojë abort, lindje të parakohshme dhe pasoja tjera.( Rina Turkeshi, TVM2)