Botë
Rriten shifrat në Stamboll, 41 të vdekur, 239 të plagosur
29.06.2016 09:10
Shkon në 41 persona numri i të vdekurve nga sulmi terrorist në aeroportin “Ataturk” të Stambollit, mbrëmjen e së martës...

Nga shpërthimet kamikaze kanë mbetur të plagosur mbi 239 persona të tjerë. Disa nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.
Tre sulmuesit vetëvrasës hapën zjarr me armë automatike para se të hidhnin veten në erë, thonë autoritetet. Dëshmitarët okularë ende janë të tmerruar nga ngjarja.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e dënoi me fjalët më të fuqishme sulmin e së martës mbrëma, që sipas tij “kishte për qëllim minimin e Turqisë me vrasjen e njerëzve të pafajshëm”.
“Është e qartë se ky sulm nuk synonte asgjë tjetër vetëm krijimin e një materiali propagandistik kundër vendit tonë, duke shfrytëzuar gjakun dhe dhimbjen e njerëzve të pafajshëm. Presim që bota të dëshmojë qëndrim të vendosur kundër grupeve terroriste”,- deklaroi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Autoritetet turke për momentin konfirmojnë se shumë elemente të çojnë drejt autorësisë së ISIS-it në sulmin terrorist në aeroport, duke përjashtuar kështu pistën e lëvizjes kurde.
“Nga sa kanë arritur të zbulojnë deri tani forcat tona të sigurisë, bëhet fjalë për një sulm terrorist të ndërmarrë nga ISIS-i. Por, pavarësisht faktit që çdo gjë të çon drejt “Shtetit Islamik”, hetimet vazhdojnë”,- tha kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim.
Sipas burimeve nga policia turke, një grua është arrestuar si e dyshuar në lidhje me atentatorët e sulmit terrorist. Mendohet se komanda terroriste ishte e përbërë nga shtatë persona, tre prej tyre janë hedhur në erë, tre të tjerë janë në kërkim, kurse një femër është arrestuar nga Policia turke.
LEUNORA KALIQI
