Botë

Sulmet terroriste në Turqi, mbi 10 sulme nga viti 1982 deri më sot

29.06.2016 12:18

Sulmi i së martës është në kuadër të më shumë se dhjetë sulmeve terroriste që kanë ngjarë gjatë dy dekadave të fundit në Turqi...

Më 7 gusht 1982, një bombë shpërtheu  në Aeroportin e Ankarasë e pasuar nga një betejë, me ç’rast mbetën të vdekur 11 persona e u  plagosën  63 të tjerë. Sulmi pretendohet të jetë kryer nga Ushtria Sekrete Armene për Çlirimin e Armenisë (ASALA). 
 
Më 6 shtator 1986, dy sulme vetëvrasëse u bënë nga xhihadistët islamikë në sinagogën Neve Shalom në Stamboll, duke lënë të vdekur 22 persona. Më 28 shtator 1991 në një supermarket në Stamboll u hodhën eksplozivë dhe bomba zjarri, duke lënë të vdekur 17 persona dhe plagosur 23 të tjerë. Për sulmin u fajësua Partia e Punëtorëve të Kurdistanit. 
 
Më 13 mars 1999, 12 persona vdiqën nga një sulm me bombë në një qendër tregtare të Stambollit. Për sulmin u fajësua Partia e Punëtorëve të Kurdistanit. 
 
Më 15 dhe 20 nëntor 2013, katër bomba të montuara në makina në Stamboll goditën dy sinagoga, konsullatën britanike dhe një degë të Bankës britanike HSBC, duke lënë të vdekur 63 persona, në mesin e tyre edhe konsullin britanik, Roger Short. Qindra persona u plagosën gjatë këtyre sulmeve. Grupi militant “Al-Kaida” dhe një grup ekstremist turk u fajësuan  për sulmet. 
 
Më 12 shtator 2006, 10 persona, në mesin e të cilëve shtatë fëmijë, u vranë nga një shpërthim i fuqishëm në Diyarbakir. Rebelët kurdë e mohuan  përgjegjësinë. 
 
Më 27 korrik 2008, si rezultat i dy shpërthimeve në Stamboll, 17 persona vdiqën dhe 115 të tjerë u lënduan. Autoritetet turke fajësuan Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. 
 
Më 11 shkurt 2013, 17 persona u vranë nga shpërthimi në një minibus sirian, 40 metra në brendësi të territorit turk, në qytetin Reyhanli, në kufi me Sirinë. 
 
Më 11 maj 2013, dy makina bombë shpërthyen po në Reyhanli, duke lënë të vdekur 52 persona. Autoritetet turke fajësuan grupet pro siriane. 
 
Më 20 korrik 2015, 24 persona vdiqën dhe rreth 100 të tjerë u plagosën si rezultat i një sulmi vetëvrasës në qytetin e mbizotëruar nga kurdët, Suruc, në afërsi të kufirit me Sirinë. Zyrtarët në Turqi fajësuan grupin militant “Shteti Islamik”. 
 
Më 10 tetor 2015, 103 persona vdiqën  dhe më shumë se 500 të tjerë u plagosën si rezultat i dy shpërthimeve vetëvrasëse në një tubim paqësor të aktivistëve të majtë dhe grupeve pro-kurde në Ankara. Qeveria turke bëri përgjegjës “Shtetin Islamik”. 
 
Më 12 janar 2016, 13 persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën si rezultat i shpërthimit në një lagje në qendër të Stambollit, e mbipopulluar me turistë. Sulmi vetëvrasës në Stamboll u krye nga një anëtar i grupit militant “Shteti Islamik”.
 
GAZMEND KURTISHI