Maqedoni

“Eco Guerila” për “Jugohromin”: Ministri të bëjë detyrën, detyrojeni të vendosë filtra

29.06.2016 13:24

Lëvizja “Eco Guerila” ka reaguar ndaj deklaratës së të hënës të ministrit të Ekologjisë, Bashkim Ametit...

Deklarata se ministri nuk është avokat i “Jugohromit” është tejet shqetësuese dhe joserioze, thonë nga “Eco Guerrila”, duke e akuzuar qeverinë se po vepron pikërisht si avokate e “Jugohromit”, duke e toleruar të punojë pa filtra dhe duke u “dhuruar” çdo ditë nga 30 ton pluhur qytetarëve të Tetovës.

“Ne kërkojmë fuqishëm që ministri t’i përmbush detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, ligjet dhe konventat ndërkombëtare në mbrojte të ambientit jetësor. Ministri i Ekologjisë nuk mund t’i ikë përgjegjësisë. Pikërisht roli i tij si përfaqësues i popullit dhe i Qeverisë, do të thotë se ai duhet të jetë avokat i qytetarëve dhe prokurori që duhet të ndëshkojë “Jugohromin” dhe çdo ndotës tjetër për shkelje të Kushtetutës dhe shkaktimin e dëmeve afatgjate në shëndetin e tetovarëve. Çdo tendencë për mosrespektim të afateve dhe blerje kohe nga Qeveria në favor të “Jugohromit” do të konsiderohet si provokim i rëndë dhe tejkalim i vijës së kuqe për qytetarët e Tetovës. Herët a vonë të gjithë ata që nuk parandalojnë këtë krim do të ballafaqohen me drejtësinë”, thonë nga “Eco Guerrila”, duke paralajmëruar zero tolerancë për ndotësin më të madh të ajrit të Tetovës.